Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka mohuar spekulimet se në veri të Kosovës ka një krizë humanitare që ka përfshirë banorët serbë.
Në një intervistë për “VOA”, Jahjaga ka folur për ndihmat ruse, duke thënë se nëse ato duan të hyjnë në Kosovë duhet të respektojnë ligjet e shtetit kosovar.
“Nuk kemi të bëjmë me krizë humanitare, por me barrikada që po bllokojnë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve. Republika e Kosovës ka institucionet e veta dhe cdo shtet tjetër duhet të respektojë ligjet dhe procedurat e saj”, ka deklaruar Jahjaga.
Presidentja, e cila ndodhet në Uashington me ftesë të sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, ka theksuar se është e domosdoshme që në veri të vendoset rendi dhe ligji.
“Në tre komunat në veri të Kosovës duhet të vendoset rendi dhe ligji, duhet të largohen barrikadat, duhet të implementohet plani i Ahtisarit, të bëhen zgjedhje lokale dhe të kemi të zgjedhurit legjitimë, që t’u përmbahen ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës”, ka nënvizuar Jahjaga.
”Gjithashtu, duhet të ndërpritet ndikimi i shtetit të Serbisë tek strukturat lokale të lidhura me strukturat kriminale në veri të Kosovës”, ka vijuar presidentja.
Më tej, zonja Jahjaga ka hedhur poshtë mundësitë për një status të vecantë apo për një plan “Ahtisari plus” për veriun, duke theksuar se, “cështja e statusit të Kosovës është një cështje e mbyllur”.
Më tej kryetarja e shtetit ka folur për Korrupsionin dhe krimin e organizuar, që i ka silësuar si “një e keqe që duhet të crrënjoset”.
“Në kuadër të kompetencave kushtetuese ne do themelojmë këshillin anti-korrupsion, që do të mobilizohet dhe organizohet për të luftuar këto dukuri”, ka bërë të ditur Jahjaga.
Ajo ka refuzuar të flasë për cështjen e presidentit të Kosovës, duke thënë se do të prononcohet në kohën e duhur, “pasi mandati im nuk më lejon të flas për këtë cështje”.
Gjatë qëndrimit të saj në Uashington, Jahjaga ka zhvilluar një takim me sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, me të cilën u shpreh njëzëri se cështja e ndihmave duhet të zgjidhet sipas konventave ndërkombëtare. Në vazhdën e vizitës së saj, Presidentja Jahjaga zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të FBI-së dhe mori pjesë në një seminar të organizuar nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
Zonja Jahjaga ishte e ftuar në një seminar që kishte për temë sensibilizimin e shoqërisë për pjesëmarrjen më aktive të femrave në politikë.
Gjithashtu, ajo ka zhvilluar një takim me sekretarin e Drejtësisë, Eric Holder, me të cilin ka folur për krimin e organizuar dhe korrupsionin në Kosovë.
Top Channel