Vajza e vetme e diktatorit sovietik Joseph Stalin ka vdekur nga kanceri në një shtëpi përkujdesjeje në Shtetet e Bashkuara, në moshën 85-vjecare.
Svetlana Alliluyeva, e njohur ndryshe si Lana Peters, ndërroi jetë në shtetin Uiskonsin më 22 nëntor, kanë konfirmuar autoritetet amerikane për BBC.
Largimi i saj nga Bashkimi Sovietik në vitin 1967 ishte një propagandë e papritur për Shtetet e Bashkuara.
Ajo ka shkruar katër libra, dy prej të cilëve kanë dalë best sellers dhe flasin për kujtimet e saj. Megjithatë, Lana thoshte disa herë se nuk mund t’i shpëtonte hijes së të atit.
Kur ajo mbërriti në Amerikë tha se kishte vajtur atje për të pasur lirinë e shprehjes, që i ishte mohuar për një kohë të gjatë në Rusi.
Ajo tha gjithashtu se largimi nga atdheu ishte motivuar pjesërisht nga trajtimi i varfër i regjimit sovietik ndaj bashkëshortit të saj, Brijesh Singh.
Peters shkoi në Indi në vitin 1966 për të shpërndarë sipas traditës hirin e Singh, por në vend që të kthehej në BS, u drejtua tek ambasada amerikane për të kërkuar azil politik.
Ajo dogji pasaportën e saj, duke denoncuar regjimin komunist dhe të atin, të cilin e quajti “një përbindësh moral dhe shpirtëror”.
Peters u martua katër herë, tre herë në Rusi, ku la dhe dy fëmijë, dhe më pas në Shtetet e Bashkuara me arkitektin William Wesley Peters.
Libri i saj me titull “Njëzet Letra për një Mik” u publikua në vitin 1967 dhe nga shitjet e tij zonja Peters fitoi 2.5 milionë dollarë.
Top Channel