Zvillimet më të fundit poltike në Shqipëri janë përshëndetur dhe mirëpritur nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat, ambasada thotë se, mirëpret hapat fillestarë të Kuvendit drejt trajtimit të reformave kritike të rekomanduara nga BE dhe OSBE.
Selia diplomatike e vë në veçanti theksin tek ngritja e një komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore, si dhe tek miratimi i dy ligjeve që kërkonin një shumicë të cilësuar.
Ambasada e SHBA në Tiranë thekson në deklaratën e saj se, këto hapa “pozitivë” duhet të vazhdohen edhe në të ardhmen.
Deklarata mbyllet me nxitjen që kjo ambasadë i bën të gjithë udhëheqësve politikë, që të vazhdojnë të punojnë së bashku për të ruajtur këtë hov pozitiv.
Mirëkuptimi u përshëndet një ditë më parë edhe nga kreu i prezencës së OSBE-së Eugen Wollfarth, i cili në një deklaratë për shtyp vlerësoi se, “ky është një fillim inkurajues”.
Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi përshëndeti konsensusin, duke theksuar se, “rruga drejt Evropës është një rrugë që ndërtohet mbi bashkëpunimin dhe konsensusi është një rrugë që bazohet në dialog”.
Gjithashtu, ngritja e komisionit parlamentar mbi reformën zgjedhore dhe votimi i dy ligjeve me tre të pestat u mirëprit nga komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle.
Top Channel