Eurobondet shqiptare “fluturojnë” në 11%

17/11/2011 08:00

Bondet shqiptare të emetuara në euro po shkëmbehen aktualisht në tregun dytësor ndërkombëtar me 11 për qind, ose afro 4 për qind më lirë nga çmimi i tyre i emetimit prej 7.5 përqindësh.

Lajmi bëhet e ditur nga burime zyrtare nga Ministria e Financave, të cilëve u referohet gazeta “Shqip”.

Blerësit e parë të bondeve, për shkak të nevojës për likuiditet, po i shesin bondet shqiptare me 3.5-4 për qind më ulët se sa vlera e tyre nominale, në mënyrë që blerësit e rinj të mund të përfitojnë një interes më të lartë.

Shqipëria nuk humbet gjë nga ky zhvlerësim i bondeve sovrane, pasi humbjet mbulohen nga investitorët, ndërkohë që Shqipëria nuk ka nevojë të dalë në tregun ndërkombëtar edhe për shumë vite të tjera.

Shqipëria emetoi 300 milionë euro bonde sovrane në fund të vitit 2010 dhe pagoi pak javë më parë transhin e parë të interesave.

Bondet kanë vlerë nominale që variojnë nga 50 mijë në 99 mijë euro dhe Shqipëria ka pranuar të paguajë 7.5 për qind interes në vit për to.

Rritja e çmimit të këtyre bondeve në tregun sekondar, nënkupton që në rast se Shqipëria dëshiron të emetojë bonde të reja tani, do të duhet të paguajë gati 11 për qind interes vjetor.

Ndërkohë, Ministria e Financave disponon të drejtën ligjore të hyjë në tregun sekondar dhe të blejë kundrejt një çmimi më të ulët një pjesë të bondeve që ajo vetë ka emetuar.

Shkaku i rritjes së interesave të bondeve sovrane të Shqipërisë duket se lidhet me ecurinë e tregut ndërkombëtar të letrave me vlerë në tërësi dhe jo me ekonominë shqiptare në veçanti.

Për shkak se borxhi italian po shitet përkundrejt interesave deri në 7 për qind, kjo sjell një rritje të përgjithshme të interesave për bondet e vendeve të tjera.

Rritja e interesit të bondeve shqiptare ka ndodhur pothuajse tërësisht gjatë tre-katër muajve të fundit. Në gusht, ato shiteshin për 8 për qind, ndërsa në shtator u shitën për 9.65 për qind.

Rritja e interesave të bondeve greke, spanjolle, italiane etj., ka shkaktuar rritje të interesave të bondeve sovrane të vendeve të tjera me përjashtim të vendeve që konsiderohen si të sigurta, si Gjermania apo SHBA.

Klasifikimi i Shqipërisë nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit si “Moody’s” nuk ka ndryshuar dhe për rrjedhojë, ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë muajve të fundit nuk duket se ka ndikuar në çmimin e bondeve.

Bondet shqiptare kanë vlerë nominale që varion nga 50 mijë në 99 mijë euro dhe janë blerë nga investitorë të ndryshëm nga e gjithë bota.

Sipas Ministrisë së Financave, shumica e bondeve janë në duart e bankave dhe fondeve të investimeve nga SHBA, Hong Kong, Arabia Saudite, vendet skandinave etj.

Një pjesë e bondeve janë blerë nga bankat shqiptare të nivelit të dytë, të cilat duket se kanë parë me leverdi mbajtjen e tyre deri në maturim dhe jo rishitjen e tyre për kursimtarët e vegjël në Shqipëri.

Top Channel