Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga Shkupi, ku u prit me nderime të larta, se së shpejti qytetarët shqiptarë dhe ata maqedonas do të mund të lëvizin vetëm me karta identiteti mes dy vendeve.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun Gruevski, Berisha ka vlerësuar se e ardhmja e Shqipërisë dhe Maqedonisë është në NATO dhe BE.

“Vendet tona kanë të ardhme të përbashkët në NATO dhe BE. Shqipëria e përgëzon përparimin e madh që ka arritur Maqedonia duke plotësuar kushtet për anëtarësimin në NATO. Por më parë duhet të zgjidhet kontesti i emrit me fqinjin jugor, me qëllim që vendi juaj të ketë vendin e merituar”, ka nënvizuar Berisha.

Më tej dy kryeministrat kanë vlerësuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë miqësore, të shoqëruara me dialog intensiv dhe të nivelit të lartë.

Kryeministri Gruevski ka theksuar se marrëdhëniet mund të zhvillohen në të gjitha fushat, sidomos në planin ekonomik, ndërsa bashkëpunimi i mirë do të jetë edhe në projektet e përbashkëta infrastrukturore me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja.

Ndër të tjera, kryeministri Berisha ka kundërshtuar idetë për ndarjen eventuale të Kosovës, duke  deklaruar se ato vijnë nga ajo që ai e quajti “kuzhina e Milloshevicit”.

“Dua t’ju kujtoj këtu se në fillim të viteve nëntëdhjetë, mesazherë të ndryshëm qarkullonin me harta në xhep për ndarjen e Kosovës dhe jo vetëm. Por të gjitha ato ide u provuan si absurditete. Respektimi i kufijve aktualë të Kosovës është interesi jetik dhe më i mirë i të gjitha vendeve të rajonit që nuk duan të përdorin gjyslyket e kasapit të Ballkanit për rajonin dhe të ardhmen e tij”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, ideja për ndarje është një embrion i ëndrrës që i krijoi Ballkanit të gjitha ato drama dhe tragjedi në 10-vjecarin e fundit të shekullit të kaluar.

Kryeministri shqiptar nuk ka lënë pa shigjetuar edhe opozitën shqiptare, duke e cilësuar atë si një subjekt me përparësi vetëm politike.

“Ka një realitet fatkeq në të cilin opozita shqiptare nuk voton ligjet me 3/5 në Parlament. Ajo nuk e bën këtë pse është anti-evropiane, jo. Ajo në programin e vet ka integrimin në BE, por e bën këtë se mendon se në këtë mënyrë i afrohet pushtetit”, ka vlerësuar Berisha.

Pas takimit me kryeministrin Gruevski, Berisha ka zhvilluar takime me liderët e partive kryesore shqiptare, Ali Ahmetin e BDI-së dhe Menduh Thacin e PDSH-së.

Pas takimit me Ahmetin, Berisha ka vlerësuar se, që pas luftës së vitit 2001 të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni janë përmirësuar dukshëm.

Ndërsa lidhur me takimin me Thacin, ai është shprehur se ishte “shumë i ngrohtë dhe vllazëror” dhe ka shtuar se ranë dakord për një bashkëpunim të gjithanshëm mes dy popujve dhe vendeve.

Berisha gjatë qëndrimit në Shkup është pritur edhe nga presidenti Gjorgje Ivanov dhe  kryeparlamentari Trajko Veljanovski.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA