Shumë diploma, pak vende pune

04/11/2011 08:40

Shumica dërrmuese e shqiptarëve që janë diplomuar gjatë dekadës së fundit nga universitetet publike e private kanë mbetur pa punë, ndërkohë që universitetet vijojnë të prodhojnë diploma pa perspektivë punësimi, bëhet e ditur nga ballafaqimi i të dhënave të ndryshme zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave.

Siç informon të premten gazeta “Shqip”, të dhënat e INSTAT tregojnë se që nga viti 2001 deri në vitin 2009, 65 mijë shqiptarë përfunduan shkollën e lartë, por ndërkohë punësimi në sektorin publik dhe atë privat jobujqësor u rrit me vetëm 16 mijë vetë, duke treguar se shumica dërrmuese e të diplomuarve ose janë të papunë ose janë larguar në emigrim dhe diploma nuk po i vlen për asgjë.

Universitetet shqiptare diplomuan 4600 studentë në vitin 2001, por numri i të diplomuarve u rrit me shpejtësi pas vitit 2006 duke arritur kulmin në vitin 2009 me 13 mijë të diplomuar brenda një viti. Ndërkohë, tregu i punës gjatë të gjithë kësaj kohe nuk njohu asnjë përmirësim të dukshëm.

Në vitin 2001, Shqipëria kishte 394 mijë të punësuar me pagë në sektorin jobujqësor, nga të cilët sektori shtetëror kishte 189 mijë të punësuar ndërsa sektori privat punësonte 205 mijë vetë. Në vitin 2010, në Shqipëri pati 410 mijë të punësuar, nga të cilët, 167 mijë qenë në sektorin publik dhe 230 mijë në sektorin privat.

Kjo rritje e punësimit me 16 mijë vetë ose më pak se 2 mijë vende pune mesatarisht çdo vit, është tërësisht e pamjaftueshme për të dhënë punë për të diplomuarit, të cilët duket se marrin diploma shumë të ndryshme nga nevojat e tregut.

Diplomat

Universitetet publike kanë lëshuar 60 mijë diploma nga viti 2001 deri në vitin 2009, nga të cilat, 12 mijë kanë qenë diploma në degë të ndryshme të ekonomiksit, 4500 në drejtësi, ndërsa Universiteti Politeknik i Tiranës ka diplomuar gjithsej 2500 vetë, shumë prej të cilëve janë diplomuar për inxhinieri makinash, ndërsa prej vitesh, është minimal numri i të diplomuarve për inxhinieri elektronike, që konsiderohet si dega më me perspektivë e botës së sotme.

Në inxhinieri elektronike, Shqipëria gjatë kësaj periudhe ka diplomuar 370 vetë, shumica në periudhën para vitit 2005, ndërsa pas këtij viti janë diplomuar vetëm 37 vetë. Të diplomuarit në ekonomi në periudhën 2000-2008 patën shance të konsiderueshme punësimi, gjë që u shkaktua nga fakti që në këtë kohë Shqipëria ndërtoi sistemin bankar si dhe sektorin e sigurimeve.

Por, pas vitit 2008, edhe ky sektor duket se nuk po punëson më të rinj, ndërkohë që numri i të diplomuarve po rritet me ritme të larta si pasojë e hapjes së universiteteve private. Më me pak siguri duket e ardhmja për të diplomuarit në drejtësi. Në dekadën e fundit janë diplomuar 4500 vetë, ku universitetet e rretheve kanë qenë shumë aktivë. Ndërkohë, mijëra të tjerë presin të marrin diplomën në drejtësi në dy-tre vitet e ardhshme.

E ardhmja me kokë nga pas
Nuk është e qartë se ku do të gjejnë vende pune mijëra studentë që aktualisht po studiojnë në universitetet private, shumica në shkenca shoqërore si ekonomiks, juridik apo shpesh edhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Shqipëria nuk ka bërë ndonjë përpjekje për të nxitur të rinjtë t’i hyjnë karrierës së fushave që kanë më shumë perspektivë në tregun ndërkombëtar. Projektet e qeverisë për rritjen e depërtimit të internetit apo rritjen e njohurive të nxënësve dhe studentëve mbi kompiuterat janë kufizuar në përdorimin e tyre, por jo në zhvillimin e programeve.

Shqiptarët, nga ana e tyre duken ende të provojnë shansin në profesionet tradicionale, të cilat vështirë se do të mund të ofrojnë punë. Universiteti Bujqësor i Tiranës, përshembull, ka diplomuar më shumë njerëz në Ekonomi dhe Politika Agrare se sa ka diplomuar në degën drejtim Ferme e Agrobiznes, duke krijuar përshtypjen se politikbërësit e bujqësisë në të ardhmen do të jenë më të shumtë në numër se sa menaxherët e bujqësisë.

Shqipëria konsiderohet si vendi kampion në të gjithë Europën për nga numri i lartë i universiteteve. Përveç universiteteve publike, në vend operojnë edhe dyzina universitetesh private.

Universitetet private vlerësohet se qarkullojnë deri në 50 milionë euro në vit duke marrë parasysh numrin e studentëve dhe tarifat vjetore të deklaruara, ndërsa bilancet e tyre të dorëzuara në administratën tatimore tregojnë për xhiro pesë herë më të vogël.

Top Channel