Inter, Motta i sinqertë: Nuk meritojmë më shumë

02/11/2011 10:10

Thiago Motta, mesfushori i Interit, ka folur hapur për momentin e vështirë që po kalon Interi në kampionatin italian të futbollit, ku renditet në vend të 17 me 8 pikë, 11 pikë më pak se kryesuesit e Juventusit.

29-vjeçari theksoi në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’ se Interi nuk meriton më shumë se ato që ka arritur deri në këtë pikë të sezonit.

“Interi i sotëm meriton vetëm ato 8 pikë që ka aktualisht në renditje. Është e vështirë ta thuash, por nuk duhet të gënjejmë tifozët tanë. Nuk është faji i arbitrave për gjendjen ku ndodhemi, faji është i lojtarëve”, u shpreh Thiago Motta.

“Teorikisht ne vlejmë më shumë duke parë cilësinë e lojtarëve, por njerëzit shohin Juventusin, Milanin, Napolin, Lazion dhe Udinesen më lart se ne dhe kjo është ajo që ka rëndësi”, shton mesfushori brazilian i kombëtares italiane.

Motta duket se ka edhe arsyen e këtij momenti që po kalojnë zikaltërit: Samuel Eto’o: “Kam respekt për të gjithë shokët e mi të ekipit, por Eto’o ishte nga ata sulmues që bënin diferencën.”

Top Channel