Chivu para derbit me Milanin: Shtatë ndeshje pa fitore, duhet të ndryshojmë historinë

30/10/2026 15:39

Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka folur në prag të derbit ndaj Milanit, duke theksuar se skuadra zikaltër duhet të tregojë një version më të mirë të vetes dhe të mos kënaqet me rezultatet e arritura deri më tani.

Tekniku rumun u ndal edhe te seria prej shtatë derbesh pa fitore, duke pranuar se kjo është një statistikë që duhet marrë në konsideratë.

“Nëse nuk e kemi fituar derbin në shtatë ndeshje, duhet t’i bëjmë vetes disa pyetje. Kjo nuk do të thotë se djemtë nuk kanë punuar shumë, por në disa raste rrethanat nuk kanë qenë në favorin tonë. Më kujtohet edhe sezoni i kaluar”, u shpreh Chivu.

Ai theksoi se përballja me Milanin kërkon përqendrim, ekuilibër dhe sakrifica më të mëdha nga të gjithë lojtarët.

“Duhet të kemi ekuilibër dhe motivim, të bëjmë disa sakrifica më shumë sesa në ndeshjet e tjera. Duhet të jemi të organizuar edhe kur nuk e kemi topin, të tregojmë uri dhe disiplinë, pa menduar se kemi lojtarë të fortë që mund t’i zgjidhin vetë gjërat”, deklaroi trajneri i Interit.

Chivu foli edhe për rëndësinë e derbit në garën për titull, duke theksuar se, pavarësisht peshës së kësaj përballjeje, rezultati nuk do të jetë përcaktues për sezonin.

“Jemi vetëm në javën e dhjetë të kampionatit. Historia dhe rezultatet e sezonit të kaluar më kanë mësuar se një derbi nuk është domosdoshmërisht vendimtar. Është një ndeshje që mund t’i japë shumë njërës skuadër dhe t’i marrë tjetrës, por rruga është ende e gjatë”, tha ai.

Tekniku zikaltër nënvizoi se në derbi nuk ka favoritë dhe se skuadra duhet të tregojë pjekuri jo vetëm përmes lojës, por edhe përmes vazhdimësisë së rezultateve.

“Nuk ka favorit në derbi. Të gjithë e dimë se sa shumë të jep një fitore në një ndeshje të tillë dhe çfarë të merr një humbje. Duhet të përqendrohemi te gjërat e duhura dhe t’i bëjmë ato në momentin e duhur. Duam të tregojmë rritje dhe pjekuri. Kjo nuk arrihet vetëm duke luajtur mirë dhe duke fituar, por duke krijuar vazhdimësi dhe duke kuptuar se çfarë duhet të bësh për të marrë rezultatin”, u shpreh Chivu.

Ai komentoi gjithashtu formën e Marcus Thuram, duke vlerësuar paraqitjet e fundit të sulmuesit francez dhe besimin që i kanë dhënë golat.

“Thuram po luan mirë dhe e ka treguar këtë në ndeshjet e fundit. Kur një lojtar gjen lidershipin e duhur, fiton entuziazëm dhe vetëbesim. Ai gjithmonë gjen energjinë e nevojshme dhe jam i sigurt se do ta ketë edhe në derbi”, tha trajneri.

Sa u përket zgjedhjeve në formacion dhe gjendjes së lojtarëve, Chivu pranoi se dëmtimet e kanë vështirësuar rotacionin, ndërsa nuk dha një përgjigje përfundimtare për aktivizimin e Martinezit.

“Jam i prekur nga dëmtimet dhe dikush duhet të pushojë ndonjëherë. Përpiqem gjithmonë të gjej rotacionet e duhura, sepse nuk kam shumë alternativa. Përndryshe, do të detyroheshim të luanim me Bovion ose Jakirovic. Nuk them se nuk e meritojnë, por presioni i këtyre ndeshjeve është i madh. Për Martinezin do të shohim nesër”, deklaroi ai.

Në fund, trajneri i Interit foli edhe për projektin e stadiumit të ri, duke pranuar se ka një lidhje emocionale me “San Siron”, ku ka luajtur, por duke u shprehur në favor të zhvillimit dhe investimeve të reja në futboll.

“E kuptoj tifozët që kanë një lidhje të veçantë me Meazzën, sepse edhe unë kam luajtur aty. Por jam gjithashtu pro inovacionit dhe mundësive që mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për klubet. Bota ecën përpara dhe pa para futbolli nuk mund të mbijetojë. Gjërat e reja janë të mirëseardhura”, u shpreh Chivu.

I pyetur nëse do të jetë ende trajner i Interit kur skuadra të luajë në stadiumin e ri, në sezonin 2031/32, ai preferoi të mos japë një përgjigje konkrete.

“Është katër vjet larg. Të stërvitësh Interin dhe të përballesh me gjykime e paragjykime që kthehen në dënime është e vështirë. Nëse ndryshon kultura sportive dhe vijnë rezultatet, do të kem më pak flokë të thinjur dhe nuk do të përfundoj në spital si disa nga kolegët e mi”, përfundoi trajneri zikaltër.

Top Channel