Buxheti, tjetër shkurtim shpenzimesh

24/10/2011 00:00

Duket se Ministria e Financave nuk është më në gjendje të planifikojë si
duhet realizimin e të ardhurave dhe investimet në tërësi. Ekspertët e
kësaj ministrie hartuan në korrik planin e shkurtimit të 18 miliardë
lekëve, si masë paraprake për të stabilizuar financat dhe deficitin, por
edhe si reagim ndaj mungesës së të ardhurave.

Sipas gazetës ‘Shqip’, të dhënat paraprake të 9-mujorit tregojnë se shkurtimi i buxhetit në korrik nuk ka sjellë asnjë përmirësim. Edhe pse tatimet janë duke punuar me një plan të ri reduktimi të ardhurash, sërish po dalin deficit me arkëtimet. Nuk mund të ndodhte ndryshe me shpenzimet, sidomos me investimet të cilat paraqiten më dobët.

Të dhënat tregojnë se të ardhurat tatimore janë gati 7 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar, ose 3.1 për qind më ulët. Në këto kushte, qeveria ka ulur investimet akoma dhe më shumë, ku si 9-mujor paraqiten me mbi 8 për qind më pak se plani i rishikuar në korrik, ose 4.3 miliardë lekë minus.

Në kushtet kur buxhetit i mungojnë të ardhurat, atëherë Ministria e Financave e ka të pamundur të vijojë lëvrimin e fondeve për investimet, edhe pse një pjesë e mirë janë ndërprerë që prej datës 1 gusht (VKM-ja për disiplinimin e fondeve). Në prag të kalimit të projektbuxhetit 2011, ekspertët e Financave janë vendosur përballë sfidës për rishikimin e buxhetit aktual, i dyti brenda vitit dhe e domosdoshme për të korrigjuar tabelën me të dhënat finale. Burime nga ministria bëjnë me dije se mundësia e rishikimit të buxhetit për herë të dytë është e pashmangshme, qoftë me aktin e fundit normativ, nga ku diskutohet reduktimi i të paktën 5 miliardë lekëve, si rrjedhojë e dështimit me të ardhurat.

Ekonomia nuk po jep rendimentin e duhur dhe kjo duket qartë te aftësia paguese e taksave në disa sektorë të ekonomisë. Sikurse është bërë publike nga gazeta disa ditë më parë, sektori i ndërtimit dhe shërbimet janë aktivitetet më të prekura nga kriza, pasi kanë kontribuar negativisht në vjeljen e taksës së TVSH-së, me gati 60 për qind, të marra së bashku, më pak se viti 2010. Pothuajse të gjitha llojet e taksave nuk e kanë realizuar planin, rekord negativ i paparë në këto 6 vitet e fundit. Të gjitha së bashku, si TVSH, tatimi mbi fitimin, akciza, tatimi mbi të ardhurat personale, sikurse edhe taksat e tjera, ato doganore dhe nacionale, rezultojnë që të gjitha me humbje, ku më negative paraqiten akcizat, me minus 3.7 për qind. Vetëm nga tatimet dhe doganat, plani i realizuar është 169.2 miliardë lekë, ose gati 5 miliardë lekë më pak, ose 3.1 për qind minus në raport me planin e rishikuar. Taksa e TVSH-së vijon të mbetet problem, pasi deri në shtator ka kontribuar për buxhetin në vlerën e 84.7 miliardë lekëve, ose 871 milionë lekë më pak se plani, pavarësisht se në vend ka pasur një fluks të lartë rritje çmimesh.

E mira e kësaj situate, nëse mund të quhet kështu, lidhet me faktin se qeveria është treguar më e kujdesshme, ku ndryshe nga herët e kaluara, ka shpenzuar aq sa ka pasur në arkën e saj, dhe jo ta tejkalojë. Nëse të ardhurat ishin mangët rreth 7 miliardë lekë, shpenzimet ishin rreth 8 miliardë më pak, pra një rakordim i financave për të mos rritur deficitin buxhetor. Ky reduktim shpenzimesh me 2.8 për qind në total, padyshim që ka prekur edhe investimet publike, aq shumë të dëshiruara në këto kohë krizash nga biznesi, sidomos ai ndërtues. Qeveria e ka bllokuar rubinetin e financimit të investimeve që prej muajit gusht, duke bllokuar projektet që ende nuk ishin tenderuar, dhe duke i dhënë mundësi financimi vetëm projekteve të vjetra.

Por me kushtet aktuale të buxhetit nuk përjashtohet mundësia e bllokimit edhe për investimet që janë në proces. Deri në shtator, realizimi i investimeve ishte 45.9 miliardë lekë, ose 8.6 për qind më pak, ku goditjen më të madhe e kanë dhënë projektet e financuara nga të huajt, me minus 22 për qind realizime, në raport me planin. E në këto kushte, deficiti vijon të mbetet i qëndrueshëm, prej 30 miliardë lekësh, ose 5 për qind më pak se plani.

Top Channel