Turi i Topit, vizitë në Kucovë

17/10/2011 00:00

Objekt nderimi i vizitës së presidentit Bamir Topi në Kucovë ishte inxhinieri polak Stanisllav Zuber. Profesor Zuber kontribuoi në vendin tonë nga viti 1927 deri në vitin 1947.

Përvec studimeve shumë të rëndësishme në fushën e gjeologjisë, ai zbuloi vendburimet e naftës dhe të gazit në Kuvovë dhe Patos.

Në këtë monografi profesor Arqile Teta e cilëson atë si babain e gjeologjisë shqiptare. Në vitin 1947 Stanisllav Zuber u ekzekutua nga regjimi komunist dhe vepra e tij u la në heshtje.

Presidenti Topi zgjodhi ta nderojë pikërisht në Kucovë, qytetin naftëtar ku inxhinieri polak punoi, duke i dorëzuar ambasadores polake Urdhërin “Nënë Tereza” për inxhinier Stanislav Zuber.

“Jo rastësisht u zgjodh që për profesor Stanisllav Zuberin të jepet medalja “Nënë Tereza”, për ta vlerësuar atë si shkencëtar, por edhe si njeri me vlera humane. Fakti që profesor Zuberi kthehet sot mes jush, në qendrën e këtij qyteti, tregon se ky qytet, ky vend ka memorie”, deklaroi Topi.

Duke iu përkushtuar tërësisht kësaj axhende, presidenti i Republikës refuzoi cdo koment politik. Ai iu përgjigj në një mënyrë presidenciale, një pyetjeje në lidhje me debatin në distancë me kryeparlamentaren Topalli.

“Sot është ditë e hënë. Presidenti ka filluar një veprimtari intensive që i takon javës dhe ju siguroj që gjatë javës do të kem një axhendë shumë të ngarkuar, e cila vijon nga detyrimet institucionale të Presidentit, por edhe në vijim të asaj axhende integruese për Shqipërinë, të cilën besoj se duhen ta kenë të gjitha institucionet”, nënvizoi Topi.

Top Channel