Mustafa Nano: Mazhoranca, frikë nga një parti e Topit

17/10/2011 00:00

Debati i zgjatur personal midis Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, u vendos në qendër të debatit të një paneli të përbërë nga ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafai, analisti Mustafa Nano dhe politikani Aleksandër Biberaj.

Topi-Topalli, çështje personale apo institucionale?

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse përplasja Topi-Topalli është një çështje personale apo institucionale, zoti Mustafai vendosi theksin tek “rreziku” që vjen nga protagonizmi i tepruar.

“E keqja e këtij protagonizmi është se shkon në dëm të institucioneve dhe është i dëmshëm për themelet e demokracisë. Në plan të parë vihet institicioni dhe në plan të dytë lideri, por në Shqipëri është e kundërta dhe liderët dalin e flasin në emër të tyre, jo në emër të institucionit që përfaqësojnë”, deklaroi Mustafai.

Duke vazhduar idenë, analisti Mustafa Nano shtoi se: “Në Shqipëri kanë ndodhur edhe gjëra më të rënda përsa i përket mungesës së respektit midis institicioneve. Më shumë se një herë kam folur për luftë civile mes institicioneve. Këtu brenda ka një teprim gazetaresk, por edhe një të vërtetë të madhe, ajo që më shumë se të bashkëpunojnë, institicionet duket sikur duan të ballafaqohen me njëra-tjetrën. Megjithatë, në 21 janar, përplasja e Kryeministrisë me Prokurorinë është edhe më e rëndë se ky ballafaqim i ri”.

Nga ana e tij, Biberaj lëshoi akuza të rënda ndaj kryetares së Parlamentit, duke thënë se nuk është hera e parë që Topalli nuk ka respekt ndaj figurave të tjera të zgjedhura të shtetit, qoftë presidentit apo deputetëve. “Këtu vlen edhe diskutimi i formimit, etikës, edukatës dhe kulturës së saj. Megjithatë, reagimi i spikeres së Parlamentit ishte i turpshëm, ndërsa mbrojtja e Topit më se normale dhe e arsyeshme”, theksoi Biberaj.

Nano: Mazhoranca, frikë nga një parti e Topit

“Mazhoranca është e shqetësuar pasi ka filluar të shikojë Bamir Topin si një kundërshtar të mundshëm politik, si themelues i një partie që mund t’a përçajë keq të djathtën dhe të çojë ujë në mullirin e opozitës”.

Kështu hipotezon Mustafa Nano, që gjithësesi tregohet i kujdesshëm për të mos nënkuptuar gjëra që nuk i di. “Nuk di asgjë që të tjerët nuk e dinë, por kjo është logjika që unë nxjerr duke menduar se përse ekziston kjo fobi ndaj presidentit dhe kjo fushatë e egër e figurave më të larta të PD-së ndaj tij, duke nisur që nga kryeministri Berisha. Vetëm në këtë mënyrë mund ta shpjegoj nervozizmin. Frika e tyre më duket shumë e madhe pa patur asgjë poshtë. Megjithatë, kjo nuk justifikon asnjë sulm ndaj presidentit dhe institucioneve”, thotë analisti.

Duke qëndruar në këtë çështje, Besnik Mustafai u shpreh se e ka të vështirë të imagjinojë Topin që të luajë rolin e opozitës, pasi ai ka deklaruar disa herë se do të qëndrojë djathtas dhe do të mbetet në politikë.

“Më duket një deklaratë shumë e rëndësishme e tij, sidomos pjesa që do të qëndrojë në politikë. Megjithatë, duke e njohur mirë si personazh prej 20 vitesh, e di që Topi nuk bën asgjë për inat dhe që është e gabuar mendësia se ai do të formojë një parti për të sjellë opozitën në pushtet. Me statusin e PD-së, ai nuk mund të përjashtohet nga partia sa të jetë jeta dhe mendoj se ai ka mundësinë që ta reformojë të djathtën shqiptare”, theksoi Mustafai.

Mustafai: Akuzat ndaj Topit? Mbrojtja e ekzagjeruar

Duke folur rreth akuzave të përsëritura që Topalli lëshoi ndaj presidentit të Republikës, Mustafai ndau mendimin e tij me publikun duke thënë se mbrojtja e Topit ishte e arsyeshme, por e tepruar.

“Çdo president duhet të përgjigjej ndaj akuzave që e shpallin si celulë anti-europiane. Nëse Topi do të kishte heshtur pas një akuze të tillë, kjo do të kishte qenë shumë e rëndë. Megjithatë, ndërsa përligj reagimin e parë të presidentit, që i bëri të gjithëve të qartë që duhet të kenë kujdes kur i drejtohen atij si institucion, mendoj që ai nuk duhet ta kishte lejuar veten që të futej në një spirale akuzash dhe kundërakuzash. Nuk i takon presidentit të Republikës që t’u përgjigjet të gjitha akuzave që i drejtojnë”.

Refuzimi i statusit nga BE, i kujt është faji?

“Kjo është jeta parlamentare në Shqipëri, agresive deri në humbjen e logjikës. Personalisht, e kam të pamundur të shoh në televizor se çfarë ndodh në parlament, është ofenduese për një qytetar shqiptar. I marr informacionet nga gazetat, të paktën atje gjuha e përdorur është e zgjedhur”, shprehet Nano, në lidhje me çështjen e statusit.

“Mos harrojmë që jemi vendi i vetëm në Ballkan që ende s’ka mundur të realizojë një palë zgjedhje të vlefshme. Nga ana tjetër, nëse do të na kishte pranuar BE, atëherë do të kishte qenë si të marrësh një provim duke kopiuar, sepse duhet të jemi të ndërgjegjshëm që nuk e meritojmë. Më kujtohet antarësimi që ndodhi në NATO. Të gjithë meritën e morri maxhoranca, ndërsa festimet shkuan me javë. Tani që për të dytin vit radhazi refuzohemi, e paska fajin vetëm opozita? Epo nëse ajo është kaq e zonja sa të bllokojë, bëj zgjedhje dhe zhblloko situatën”, sugjeroi Nano.

“Ju garantoj se europianët e shohin me sy të rëndë braktisjen e Kuvendit, por kjo është vetëm njëra nga minuset dhe përgjegjësinë më të madhe e ka mazhoranca”, theksoi ai.

Ndërsa Mustafai përdori tone të njëjta në shpjegimin e refuzimit të radhës nga BE, Biberaj e cilësoi veton kundër nisjes së bisedimeve për të dytin vit radhazi si “një dështim të klasës politike si një e tërë”.

“Nga ana tjetër, unë kam një bindje që askush nuk e do integrimin këtu. Nëse do të integrohemi, atëherë do të jemi nën kontrollin e BE-së, korrupsioni nuk mund të jetë më i njëjti, Kushtetuta nuk mund të mos respektohet siç bëhet sot dhe punonjësi i administratës nuk mund të flaket nga puna si të ketë dëshirë ministri i ri”, tha Biberaj.

Mbi të njëjtën çështje, Mustafai u rikthye duke sjellë një shembull nga koha kur ai ishte në qeveri. “Unë isha ministër kur në 2006-ën nisi fushata për pavarësinë e Malit të Zi. Atëherë, shtete të fuqishme europiane na kërkuan mendim si fqinj, nëse Mali i Zi kishte kapacitete për t’u qeverisur vetëm. Imagjinoni, ky shtet që ka vetëm pesë vjet dhe që nga BE-ja nuk dihej nëse do të funksiononte, sot na lë pas dhe hap bisedimet përpara nesh”, u shpreh Mustafai.

Roli intelektualëve në demokracinë shqiptare

Roli që luajnë intelektualët në zhvillimin e demokracisë së brishtë shqiptare, ishte tema e diskutimit në pjesën e tretë të emisionit “Shqip”.

Analisti politik, Mustafa Nano dhe politikanët Aleksandër Biberaj dhe Besnik Mustafaj vlerësuan njëzëri se kjo shtresë e shoqërisë shqiptare nuk ka marrë rolin që i takon në zhvillimin e shoqërisë dhe demokracisë shqiptare.

Madje analisti Nano shkoi më tej, duke thënë se një pjesë e intelektualëve janë bërë pjesë e njërës apo tjetrës palë politike. Si shembull ai solli grevën e deputetëve të Partisë Socialiste para godinës së kryeministrisë.

“Gjatë grevës së opozitës para kryeministrisë nuk u hartua asnjë listë me intelektualë që të dalin në mbështetje të grevës së opozitës, por u bë një listë intelektualësh të cilët bënin thirrje se opozita po dëmtonte vendin. Kjo për mendimin tim bie erë”, tha zoti Nano.

Top Channel