Izraeli fal 477 palestinezë

16/10/2011 12:50

Izraeli publikoi emrat e 477 të burgosurve palestinezë të cilët u lanë të lirë në këmbim të ushtarit të mbajtur peng, Gilad Shalit.

Zyra e Presidentit izraelit, Shimon Peres njoftoi se ai ka nisur nënshkrimin e faljeve individuale. Lista e 450 të burgosurve meshkuj dhe 27 femrave, të përfshirë në pjesën e parë të marrëveshjes, u bë publike të djelën në mëngjes.

Siç raporton BBC, ata pritet të lihen të lirë të marten si pjesë e marrëveshjes së parë.  

Të gjithë izraelitet që e kundërshtojnë shkëmbimin e të burgosurve kanë një afat prej 48 orësh për të apeluar në Gjykatën e Lartë, përpara lirimit të tyre. Analistët thonë se gjykata ka pak gjasa të ndalojë zbatimin e paktit që gëzon mbështetjen e gjerë publike. Megjithatë ka disa grupe izraelite që e kundërshtojnë transferimin. Shumë prej atyre që do të lihen të lirë janë palestinezë të burgosur për organizimin e sulmeve kamikaze apo atentateve. Por, autoritetet izraelite kundërshtuan lirimin e tre figurave kryesore: Marvan Barguti, kreu i militantëve i dënuar disa herë me burgim të përjetshëm për sulmet kundër izraelitëve, Abdullah Barguti, një prodhues bombash artizanale, i dënuar disa herë me burgim të përjetshëm dhe Ahmet Saadat, i burgosur për përfshirjen në vrasjen e ministrit izraelit të turizmit Rehavam Zeevi në vitin 2001.

Pas kthimit të ushtarit izraelit Gilad Shalit, i cili u kap nga militantët palestinezë në vitin 2006, pritet lirimi i 550 të burgosurve të tjerë. Nga Hamasi, ai do të transferohet në Egjipt dhe më pas do t’i dorëzohet Izraelit.

Detajet e lirimit të tij nuk janë bërë publike. Një zëdhënës palestinez i tha Asoshiejtid Pres se identiteti i të gjithë palestinezëve do të kontrollohet përpara se ata të hipin në autobusë në shkretëtirën Sinait dhe fill pas kësaj do të nisë lirimi i ushtarit izraelit Shalit.

Top Channel