BB-ja i rikthehet Jugut për të ndërtuar shtëpi

14/10/2011 08:50

Tjetër projekt i Bankës Botërore po vihet në zbatim me ndihmën e autoriteteve shqiptare, sa i takon banesave në Jugun e vendit, pranë zonave bregdetare.

Projekti me vlerë rreth 625 mijë USD, ndryshe nga i mëparshmi, konsiston në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të arkitekturës kombëtare dhe trashëgimisë kulturore në bregdetin jugor të Shqipërisë, duke iu kundërvënë shkatërrimit dhe/ose braktisjes së shtëpive tradicionale. Gazeta ‘Shqip’ bën të ditur se partneri i Bankës Botërore në projektin “Çatitë dhe Fasadat” është Ministria e Transporteve dhe e Punëve Publike.

Programi ka nisur zbatimin në fshatrat e klasifikuar për pjesëmarrje: Dhërmi i Vjetër, Qeparo i Vjetër, Ilias, Vuno, Himarë e Vjetër, Piqeras, Nivicë dhe Luksht (lagje në Lukovë).

Banka Botërore do të financojë deri në 70% të kostos së restaurimit, me një maksimum deri në 7,000 USD, ndërsa programi “Fjetje dhe Mëngjes” do të financojë 50% të kostos së restaurimit, me një maksimum deri në 5,000 USD.

Nga zbatimi i programit “Çatitë dhe Fasadat” synohet që brenda një periudhe prej rreth 18 muajsh të restaurohen 75 shtëpi. 20 shtëpi synohet të përshtaten me kushtet e jetesës moderne, në kuadër të programit “Fjetje dhe Mëngjes”.

Top Channel