Ujësjellësi, kontroll lavazheve

11/10/2011 20:20

Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, ka nisur një aksion të përbashkët për kontrollin e lavazheve në të gjithë territorin e kryeqytetit.

Shpërdorimi i ujit të pijshëm dhe dokumentacioni janë qëllimet kryesore të këtij aksioni, i cili ditën e martë nisi në zonën e ish-Profarmës.

Të pranishëm gjatë inspektimeve ishin drejtori i UKT-së, Sahit Dollapi dhe drejtori i policisë bashkiake, Florenc Hoxha. Dollapi sqaroi për mediat qëllimin e këtij aksioni: “Sot ne bëjmë kontrollin e plotë, në mënyrë që të konstatojmë në uji është i përdorshëm apo i papërdorshëm dhe nëse dokumentacioni që duhet të kenë këto pika është i plotësuar. Ky aksion do të vazhdojë deri në fund, deri sa të mbyllen lavazhet dhe të lejohen vetëm ato që janë në rregull nga pikëpamja ligjore. Nuk jemi për një veprim me dorë të hekurt, që ato të mbyllen pasi janë në shërbim të komunitetit, por funksionimi i tyre duhet të bëhët konform ligjeve në fuqi”.

Inspektorët e Bashkisë janë duke kontrolluar dokumentacionin e lavazheve. Në të gjithë territorin e Tiranës, janë në total 155 lavazhe, të cilët do të kontrollohen të gjithë për ujin që përdorin dhe dokumentacionin që duhet të kenë. Nisja e këtij aksioni ka qenë mëse normal dhe nuk ka ndeshur në kundërshtinë e pronarëve të këtyre bizneseve.

Top Channel