Topi: Me Turqinë, aleatë strategjikë në rajon

11/10/2011 00:00

Presidenti i Republikës Bamir Topi deklaron se Shqipëria dhe Turqia janë
vende aleate strategjike në rajon dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve
janë të shkëlqyera.

Në ditën e dytë të qëndrimit në Turqi, ku kreu i vendit ka shkuar me ftesë të homologut Abdullah Gyl, Presidenti Topi mori pjesë në Këshillin e përbashkët të biznesit shqiptaro-turk në Stamboll.

“Shqiptarët që jetojnë në Turqi na lidhin më shumë. Vëmendja e politikës ndaj biznesit është domosdoshmëri. Politika duhet të bëjë lehtësime ligjore ndaj biznesit, me qëllim inkurajimin e mëtejshëm të tij”, tha Topi.

Intensifikim i marrëdhënieve

Ndonëse Kosova, dhe më pak Shqipëria, janë përfshirë kohët e fundit në një debat sa shkencor aq edhe politik mbi qëndrimin që historiografia duhet të mbajë ndaj periudhës otomane, sot, në kohët moderne, Turqia e konsideron Shqipërinë një aleate strategjike në Ballkan.

Kjo pati rast të konfirmohet gjatë vizitës zyrtare që Presidenti i Republikës Bamir Topi po zhvillon në Ankara. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Presidenti Abdullah Gyl tha se Shqipëria është aleati i Turqisë në në Ballkan dhe vazhdon bashkëpunimin në këtë kontekst për ta shtrirë stabilitet dhe paqe në të gjithë Ballkanin. ‘Është vizioni i Turqisë,- shtoi më tej presidenti Gyl,- që Shqipëria të integrohet në institucionet euroatlantike. Po ashtu, midis Shqipërisë dhe Turqisë janë të njëjta edhe qasjet për sa i përket çështjeve ndërkombëtare’.

Presidenti Bamir Topi nga ana e tij tha se marrëdhëniet midis Shqipërisë edhe Turqisë konsiderohen të shkëlqyera. ‘Së bashku kemi ndërtuar marrëdhënie të tilla mbi bazën e një themeli historik,- tha Presidenti Topi, – por nga ana tjetër kemi ndërtuar edhe marrëdhënie moderne’.

Të dy presidentët folën edhe për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike. Me disa kompani strategjike në telekomunikacion dhe industrinë e rëndë, por edhe në ndërtim dhe arsim, Turqia mbetet një partner i rëndësishëm ekonomik i Shqipërisë. Në vizitën e tij zyrtare, Presidenti Bamir Topi shoqërohet nga zonja e parë, Teuta dhe një delegacion zyrtar. Pas takimeve me Presidentin Gyl, Presidenti Topi është pritur edhe nga Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek.

Top Channel