" /> ">

Arsimi, Berisha: Akuzat e PS, cinike

10/10/2011 00:00

Në ditën e celjes së vitit të ri akademik, kreu i qeverisë Sali Berisha ka percjellë nga universiteti “Fan Noli” i Korcës urimet për të gjithë studentet në garën e tyre të dijes.

Duke premtuar më tepër bashkëpunim me universitetet e tjera në botë, Berisha ka specifikuar se tashmë 70% e maturantëve vazhdojnë universitetin.

Nga Korca, Berisha iu është kundërpërgjigjur akuzave të opozitës në lidhje me programin e qeverisë për sistemin universitar, duke i cilësuar ato si cinike dhe të pavlera.

Sipas tij, universitetet nuk sjellin garancinë e punësimit, por rrisin më tepër shanset për të diplomuarit.

“Unë dua t’ju them këtyre zotërinjve, se universitetet në Shqipëri nuk shpërndajnë diploma apo libreza punësimi. Por studimet në Shqipëri dhe mbarë botën kanë faktuar se të diplomuarit i kanë 5 për qind më të mëdha shanset e punësimit sesa të padiplomuarit”, ka deklaruar Berisha.

Kryeministri Berisha është shprehur i vetëdijshëm për prapambetjen e vendit tonë në arsim krahasuar me vendet e tjera europiane, por e ka cilësuar si një sfidë për qeverinë duke bërë thirrje për angazhimin në një reformë të pandërprerë.

Viti i ri akademik për arsimin e lartë u hap me një ceremoni të mbajtur në godinat e reja të Universitetit të Tiranës, ku kryetari i bashkisë Lulzim Basha u premtoi studentëve kartën e tyre.

Ndërsa muajin e kaluar, qeveria prezantoi draftin e ri për financimin e universiteve, që parashikon edhe rritjen e tarifave që studentët paguajnë cdo vit.

Drafti në fjalë u diskutua një javë më parë nga Senati i Universitetit të Tiranës. Kreu i këtij Senati, Dhori Kule evidentoi një sërë boshllëqesh ligjore në këtë draft, që sipas tij cënojnë besueshmërinë e tij, por edhe transparencën e realizimit.

Top Channel