Borxhet kërcenojnë ekonominë

08/10/2011 20:10

Ish-Ministri socialist i Financave, Anastas Angjeli, thotë se paralajmërimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për borxhin janë një këmbanë alarmi për Shqipërinë, e cila përveç rritjes së detyrimeve të qeverisë duhet të përballet tashmë edhe me shlyerjen e borxheve të marra gjatë tranzicionit.

”Vitet që do të pasojnë do të kenë një kosto të lartë, për shkak grumbullimit të interesave të borxhit dhe principalit që duhet të paguajmë. Kjo do të bëjë që nga buxheti të hiqen zëra për fonde të domosdoshme buxhetore dhe mund të detyrojë administratën të kryejë shkurtime serioze apo të prekë pagat”, shprehet Malaj.

Zoti Angjeli mendon se ekonomia shqiptare ka hyrë në një fazë të rrezikshme, për shkak të një rrethi vicioz borxhesh, që nuk përfshijnë vetëm detyrimet e qeverisë: ”Kemi të bëjmë me një borxh ekonomik, që nuk lidhet vetëm me kreditë e pakthyera, por edhe me një borxh reciprok, sidomos në industrinë e ndërtimit, që përfshin brenda vetes deri në 160 lloje profesionesh. Këtë e tregon kleringu ekzistues në këtë treg dhe ndërprerja e zinxhirit do të godiste rënë shumë hallka të ekonomisë. Borxhi që shteti ka ndaj kompanive të mëdha, kompanitë midis njëra-tjetrës apo ndaj shtetit, janë me të vërtetë të rrezikshme për ekonominë dhe paralajmërimi i FMN-së vjen në momentin më të përshtatshëm”.

Por, si mund të dilet nga kjo situatë. Ish-kreu i Financave dhe i Ekonomisë, thotë se zgjidhja kalon në dy plane. Së pari ekonomia shqiptare duhet të reformohet. “Është e domosdoshme që Shqipëria të përcaktojë një herë e mirë drejtimin ekonomik që dëshiron të marrë, fokusin që do t’i kushtojë indistrisë dhe produkteve kryesore që do të vendosim të prodhojmë”, shprehet Angjeli. “Është e rëndësishme të ndajmë një herë e mirë se cilat degë do të zhvillojmë në vend, çfarë produktesh do të kishin interes dhe konkurrencë në tregun vendas, në të njëjtën kohë që do të ishin të konkurrueshëm edhe në planin rajonal e europian”.

Ndërsa rruga e dytë është ajo rishikimit të politikave fiskale. Angjeli mendon se taksa e sheshtë dështoi dhe Shqipëria duhet t’i rikthehet taksimit progresiv. “Bizneset e mëdhenj janë përfituesit e mëdhenj që duhet të kontribuojnë më shumë, por teksa e shehtë e çon barrën fiskale tek njerëzit e zakonshëm dhe bizneset e vogla. Kjo taksë tashmë ka dështuar dhe në Shqipëri duhet të rikthehet tatimi progresiv, i cili do të lejojë shtetin të grumbullojë të ardhura nga ata që mund të paguajnë më shumë. Qeveria dhe biznesi duhet të vendosë se çfarë do të zhvillojë, në të njëjtën kohë që do të parashikohen lehtësira fiskale për ata që nisin aktivitete të caktuara”.

Një ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar e listoi Shqipërinë dhe Kroacinë si dy vendet e vetme nga ekonomitë në zhvillim që po përkeqësojnë financat publike pas krizës.

Top Channel