Elez Biberaj dhe “Shqipëria në Tranzicion”

07/10/2011 21:30

Gazetari i njohur Elez Biberaj ka sjellë opinionin e tij mbi dy dekadat pas rënies së regjimit komunist, përmes librit “Shqipëria në Tranzicion”.

Në libër ai rrëfen edhe eksperiencën e tij, që në vitet e para të demokracisë spikati me përkthimin e fjalimit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Baker.

Në një intervistë për Top Channel, Biberaj rrëfen emocionet dhe kujtimet e asaj kohe.

“Unë në atë kohë isha mjaft idealist. Mendoja se me përmbysjen e komunizmit, ndryshimet do të ndodhnin shumë shpejt dhe do ishin pozitive”, tregon ai.

Megjithatë, gazetari i njohur i Zërit të Amerikës pranon se nuk është arritur më optimalja.

“Shqipëria ka përjetuar ndryshime të tilla, por vendi prap përballet me disa sfida. Gjithësesi, unë jam optimist”, thotë ai.

Sipas tij, ndodhja e Shqipërisë edhe pas 20 vjetësh në tranzicion është përgjegjësi kryesore e klasës politike, por jo vetëm.

“Nuk është vetëm klasa politike përgjegjëse. Tranzicioni është një proces ku duhet të marrin pjesë të gjithë, por elita politike është kryesorja”, nënvizon Biberaj.

Më tej gazetari mohon zërat se librat e tij kanë si qëllim rehabilitimin e figurës së Sali Berishës, dikur president dhe tani kryeministër i Shqipërisë.

“Nuk qëndron hipoteza se po rehabilitoj figurën e Berishës. Ka gazetarë që kanë bërë intervista më të afërta me Berishën se sa unë. Ky është një libër ku unë kam shprehur mendimet e mia, qëndrimin tim ndaj ngjarjeve”, shton Biberaj.

Pak kohë më parë, një vështrim mbi tranzicionin e dha edhe poeti e shkrimtari Daut Gumeni, përmes librit “Tranzicion apo Trashëgimi”.

Top Channel