Ish-trajneri i Çelsit, Milanit dhe Juventusit, Carlo Ancelotti, mund të shndërrohet në trajnerin e ardhshëm të Arsenalit, informon ditën e sotme e përditshmja britanike “The Guardian”.
Pas fillimit më të dobët të 15 viteve të fundit, pozitat e Wenger në klubin e madh londinez janë më të lëkundura se kurrë dhe burime brenda Arsenalit pranojnë për tabloidin se mundësia e zëvendësimit të trajnerit është bërë reale.
Nëse diçka e tillë do të ndodhë, Ancelotti shihet si favorit për t’u ulur në stolin e “Emirates” në vend të trajnerit që drejton “topçinjtë” që prej vitit 1996. Arsenali ka fituar tre herë titullin dhe është renditur në pesë raste të tjera në vendin e dytë nën drejtimin e Wenger, por shitja sistematike e futbollistëve të mëdhenj në vitet e fundit ka bërë që klubi të mos jetë më në gjendje të rivalizojë për vendet e larta në klasifikim në këtë sezon.
Nga ana e tij, në një prononcim për mediat italiane, Ancelotti pranoi dëshirën e tij për t’u rikthyer në Premier League. “Kam një lidhje të fortë dhe kujtime shumë të bukura nga dy vitet e mia të qëndrimit tek Çelsi. Për një trajner, Anglia është vendi perfekt”, deklaroi italiani.
Top Channel