LSI : PS të votojë ligjet në Kuvend

25/09/2011 20:30

Lëvizja Socialiste për Integrim duket se ka hedhur poshtë paketën me 10 propozime të Edi Ramës për një bashkëpunim mes opozitës dhe mazhorancës për integrimin e vendit.

Sipas nënkryetarit të LSI-së Petrit Vasili, pakti për integrimin nuk duhet të shërbejë për vendosje ultimatumesh dhe politika vetjake. Sipas Vasilit, pakti që LSi ka paraqitur kohë më parë mbetet një zgjidhje parimore dhe gjithëpërfshirëse.

“Pakti kombëtar për integrimin nuk mund të jetë në asnjë rast një mundësi për realizimin e interesave të ngushta partiake për vendosjen e kushteve të njëanshme, nuk mund të jetë një mundësi për realizimin e interesave të ngushta të individëve, apo për kontrollin e njëanshëm politik të institucioneve, nuk mund të jetë gjithashtu edhe mundësia e zëvendësimit të veprimtarisë kushtetuese me marrëveshje politike që dalin mbi to dhe që synojnë realizimin e shtetit parti në vend të shtetit ligjor, të drejtë, të barabartë, për të gjithë shtetasit, pavarësisht preferencave politike apo ideologjike të tyre. Ndaj LSi përsërit se nuk asnjë minutë kohë për të humbur për realizimin e paktit kombëtar për integrimin. Ne i bëjmë thirrje opozitës që të mbështesë në mënyrë konkrete e të drejtpërdrejtë dhe në mënyrë parimore këtë pakt”, deklaroi nënkryetari i LSI-së, zoti Petrit Vasili.

Vetëm dy ditë më parë, kreu socialist, Edi Rama bëri publike një ofertë për mazhorancën, ofertë të cilën e cilësoi si shans të orës së fundit për marrjen e statusit dhe e pagëzoi me emrin “Pakti për Shqipërinë si gjithë Europa”, slogani i famshëm i shqiptarëve kur rrëzuan regjimin komunist.

Pakti përmban 10 kërkesa, që nisin me domosdoshmërinë, sipas opozitës, të miratimit me konsensus të ndryshimeve të propozuara prej tyre në rregulloren e Kuvendit dhe miratimin brenda dhjetorit të reformës insitucionale të Parlamentit, bazuar në mangësitë e vëna në dukje nga progres-raporti i vitit të kaluar.

Pikat e tjera përmbajnë reformën zgjedhore, mënyrën e zgjedhjes së disa institucioneve kushtetuese si hetim të ngjarjes së 21 Janarit nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme ku të garantohet mossulmimi politik ndaj këtij institucioni.

Top Channel