KQZ : Fletët e 8 Majit do të digjen

25/09/2011 17:50

Të hënën në orën 11 paradite Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të diskutojë për djegien e fletëve të votimit të zgjedhjeve të fundit.

Mbledhja me këtë rend dite është njoftuar në faqen e internetit të intitucionit, por deri të dielën mungonin materialet e mbledhjes që përmbajnë detaje të projekt-vendimit.

Megjithatë palët e interesuara, partitë politike, duket se janë njohur me detajet e këtij projekt-vendimi, që socialistët kanë ndër mend ta kundërshtojnë fort.

Këtë e konfirmoi për Top Channel përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Eridian Salianji, i kontaktuar me telefon. Sipas tij kundërshtimi i socialistëve ka të bëjë me padinë që socialistët kanë depozituar në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me mosrakordimet e shifrave. Nëse prokuroria e sheh të arsyeshme, sipas avokatit Salianji, prokurorët duhet të sekuestrojnë fletët për efekt hetimi.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, që ishte mjaft aktiv gjatë zgjedhjeve të fundit, në KQZ dhe media, duke denoncuar shkeljet sipas tij që dilnin nga mosrakordimi i shifrave, dyshon se KQZ do të fshehë dicka duke kërkuar të asgjësojë kaq shpejt fletët.

Në fakt Kodi Zgjedhor thotë vetëm se KQZ i asgjëson fletët pas përfundimit të afatit për ankimet, pra përfundimit të procesit zgjedhor. Dhe procesi zgjedhor ka përfunduar një javë më parë, kur KQZ bëri publik rezultatin zyrtar të zgjedhjeve të 8 majit.

Top Channel