Krerët e opozitës janë ulur në një tryezë të përbashkët e cila ka patur si qëllim kryesor unifikimin dhe informimin me hapat e mëtejshëm në proçesin e reformës zgjedhore.

Në takim kanë munguar Gjinushi e Dule, por kjo, sipas krerëve të tjerë, nuk ka të bëjë me qendrimin e tyre politik, por me impenjime të tjera personale.

Kontaktet mes partive të koalicionit do të jenë të vazhdueshme edhe me përfaqësues të nivelit të dytë si një element që, sipas zotit Zogaj, do të garantojë transparencë të plotë.

“Dua të nënvizoj faktin se partitë pjesëmarrëse në këtë tryezë, ranë dakord që të punojnë si një subjekt i vetëm politike, megjithëse janë parti të ndryshme, në lidhje me reformën. Pra opozita do të punojë si subjekt unik politik për reformën”, është shprehur Zogaj.

Ndërkohë tryeza e opozitës përveç reformës zgjedhore ka patur një fokus të veçantë edhe tek greva e urisë së minatorëve në qytetin e Bulqizës.

“Problemi i dytë ka të bëjë me shqetësimet e mëdha, gjendjen e tmerrshme që po krijohet në Bulqizë nga greva e urisë së minatorëve. Dhe për këtë përfaqësues të partive opozitare do të jenë në kontakt me këtë grevë për të mbështetur dhe kërkuar një zgjidhje definitive që i jep fund kësaj greve pa mbarim”, deklaroi Zogaj.

Një ditë më parë kreu i Partisë Socialiste, Rama renditi 5 pika kryesore përmes të cilave synohet normalizimi i jetës politike në Shqipëri, por edhe aksioni opozitar në sallën e Kuvendit.

Top Channel