PS: Qeveria të ulë taksat

17/09/2011 00:00

Partia Socialiste do kërkojë zyrtarisht në kuvend heqjen e taksave për
disa nga produktet më jetike dhe përgjysmimin e tyre mallrat e tjerë
ushqimore. Nisma u bë publike nga deputetja Mimi Kodheli.

“Në kushtet e krizës së rëndë ekonomike e të rënies katastrofike të fuqisë blerëse të çdo familjeje që rron me pagën e punës a me ndihmë ekonomike jo me korrupsion, heqja e TVSH-së mbi bukën, qumështin, vezët dhe ilaçet, si edhe përgjysmimi i TVSH-së mbi produktet e tjera ushqimore bazë, janë e vetmja rrugë sot për lehtësimin e barrës mujore të jetesës së shqiptarëve”, tha Kodheli.

Shqipëria është nje nga vendet me taksat më të larta mbi ushqimet. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është i fiksuar në nivelin 20 për qind, kur në vendet e BE-së, për ushqimet tvsh-ja shkon nga 0-10 për qind. Opozita thotë se kjo është e papranueshme

“Pesha specifike që zënë sot taksat konsumatore, TVSH dhe Akcize, në cmimin e produkteve ushqimore bazë, është 28%.E kemi premtuar këtë në Paktin Qytetar që në muajin maj, kemi fituar zgjedhjet edhe për këto premtime në të gjithë Shqipërinë që paguan taksa dhe do të luftojmë në parlament që ky çlirim i rëndësishëm i barrës së taksave mbi familjet shqiptare të ndodhi pa pritur që të vijmë në qeveri.Të shohim si do reagojë oborri i pushtetit që vetëm në një ditë grabit nga pasuria kombëtare aq sa duhet për të kompensuar të gjitha këto ulje në arkën e shtetit”, tha Kodheli.

Vitin e kaluar qeveria mblodhi 175 milionë dollarë Tatim mbi Vlerën e Shtuar vetëm nga ushqimet në import, faturë që paguhet e gjitha nga qytetarët në cmimin e produkteve.

Top Channel