AI: Krime lufte në Libi

13/09/2011 00:00

Amnesty International ka akuzuar të dyja palët në Libi për krime
lufte.Në raportin e fundit, organizata thotë se shtypja e protestuesve
nga ana e Muammar Gaddafi-t ka dëshmuar krim kundër njerëzimit, ndërsa
arrestimet arbitrare, tortura e të burgosurve dhe rrëmbimet janë krime
lufte.

Raporti thotë se zyrtarë të AI-së kanë parë trupa të vrarë të figurave opozitare, të cilat ishin qëlluar në kokë me duar të lidhura pas shpine.

Organizata thotë se ka video, që tregojnë të burgosurit teksa qëllohen për vdekje.

Raporti vë në dukje se edhe forcat kundër regjimit janë fajtore për abuzime të të drejtave të njeriut, porse në një shkallë më të vogël.

Ato kanë rrëmbyer, kanë arrestuar në mënyrë arbitrare, kanë torturuar dhe vrarë besnikët e Gadafit dhe shtetasit e huaj, të dyshuar gabimisht për mercenarë, thuhet në raport.

Amnesty International i bën thirrje Këshillit Kombëtar të Tranzicionit të hetojë abuzimet e të dyja palëve dhe t’i vërë të drejtat e njeriut në krye të agjendës së tij.

Cmimi i lirisë, 50 mijë të vrarë

Çmimi i paguar për rrëzimin e diktatorit Gadafi është i lartë. 50.000 vetë besohet të jenë vrarë gjatë rebelimit kundër regjimit të pushtetmbajtësit libian.

Me këmbëngulje vazhdon të përhapet fjala se vetë Gaddafi ndodhet në qytetin e tij të lindjes. Lajme të tjera flasin për qytetin Beni Ualid, në jug-lindje të Tripolit, ku koloneli gezon një mbështetje të gjerë.

Zëdhënësi i kryengritësve, Al Amen Bolhaj e paraqet jo shumë të rëndësishëm një arrestim të mundshëm të Gadafit.

“Të gjithë libianët shpresojnë që ta arrestojnë sa më shpejt që të jetë e mundur Gadafin. Por ky nuk është synimi ynë i parë, ne nuk jemi të fiksuar në kapjen e tij. Ne duam të ndërtojmë një Libi të re”, është shprehur ai.

Top Channel