Ish-liderët francezë, ryshfet për fushatat

12/09/2011 19:25

Ish-presidenti francez, Jacques Chirac dhe ish-kryeministri Dominique de Villepin kanë marrë 20 milionë dollarë nga liderë afrikanë, pjesërisht për të financuar fushatat elektorale.

Kështu thotë avokati Robert Bourgi, i cili thotë se ka qenë i përfshirë personalisht në dorëzimin e disa valixheve plotë me para tek zoti Chirac.

Megjithatë, avokati shton se nuk ka prova apo gjurmë që të faktojnë këto pagesa sekrete.

Ndërsa dy ish-liderët kanë njoftuar se do ta padisin zotin Bourgi. Ata i mohojnë deklaratat e tij, që vijnë shtatë muaj para zgjedhjeve presidenciale.

Zoti De Villepin shihet si rivali më i mundshëm i presidentit Nicolas Sarkozy nga qendra e djathtë, ndërsa Chirac është aktualisht në një proces të dyshuar për korrupsion.

Ai po gjykohet në mungesë pasi një raport mjekësor thotë se ai nuk është në gjendje të ndjekë procesin dhe ka humbje kujtese.

Në një intervistë për një të përjavshme franceze, zoti Bourgi tha se i ka dorëzuar disa valixhe me para zotit Chirac, gjatë kohës që ai ka qenë kryetar i bashkisë së Parisit, në vitet 1980-1990.

Ai nënvizoi se cdo valixhe mbante gjithmonë të paktën 5 milionë franga, ose 1 milion dollarë.

Ndërsa dorëzimi i parë i parave në praninë e zotit De Villepin është bërë sipas tij në vitin 1995, plot 10 milionë franga nga presidenti i Zairesë, Mobutu Sese Seko.

Top Channel