Wikileaks: Negociatat për varrezat greke

06/09/2011 08:35

Fondet për ndërtimin ilegal të mauzoleumeve të ushtarëve grekë të vrarë në territorin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore janë dhënë drejtpërsëdrejti nga qeveria greke, e cila mësohet se ka financuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Lajmi bëhet i ditur nga një kabllogramë e Wikileaks, të cilës i referohet gazeta “Shqip”.

Kabllograma me kod 06TIRANA662 e 21 qershorit 2006 raporton mbi incidentin e krijuar me zhvarrimet ilegale të zhvilluara në fshatin Kosinë të Përmetit.

Në atë kohë, një prift lokal pagoi disa vendës për të kryer disa zhvarrime. Banorët vendës u ankuan pasi vunë re se varrezat e vjetra të fshatit dhe eshtrat e paraardhësve të tyre po shiteshin si eshtra të ushtarëve grekë të vrarë gjashtëdhjetë vjet më parë.

Sipas legjislacionit shqiptar, një zhvarrim mund të kryhet me vendim prokurorie ose gjykate. U dyshua se shkaku i nxitimit për kryerjen e zhvarrimit lidhej me faktin që një mauzoleum qe ndërtuar dhe përfunduar sakaq në Këlcyrë, pavarësisht se autoritetet shqiptare nuk patën dhënë ende një leje ndërtimi dhe se asnjë marrëveshje për të zgjidhur këtë problem mes Tiranës dhe Athinës nuk ekzistonte ende.

Kisha dhe Athina zyrtare

Zyrtarët e ambasadës së SHBA-së në Shqipëri intervistuan At Andon Merdanin, drejtor të Marrëdhënieve me Jashtë në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Merdani “tha se, pavarësisht mungesës së një marrëveshjeje formale, ndërtimi i një mauzoleumi, me kapacitet prej 630 varresh, përfundoi së ndërtuari vitin e kaluar (2005) në territorin e një manastiri ortodoks në Përmet. Një mauzoleum i dytë i ngjashëm është aktualisht (viti 2006) nën ndërtim në Korçë”, thuhet në kabllogramin 06TIRANA662 i klasifikuar si “konfidencial”.

“Merdani konfirmoi se ndërtimi i mauzoleumeve është financuar nga qeveria e Greqisë dhe qe zbatuar nën drejtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare”, vijon më tej kabllogrami i firmosur nga ambasadorja Marcie B. Ries.

Janullatos konsultohet me Karamanlis

Sipas kabllogramit, Merdani ka thënë se kreu i kishës autoqefale, kryepeshkopi Anastasios Janullatos, vizitoi Kryeministrin grek, Karamanlis, në Athinë, në një takim ku u diskutua edhe çështja e varrezave.

Një ditë më vonë, kisha lejoi policinë dhe prokurorinë shqiptare të hynin në kishën ku mbaheshin përkohësisht eshtrat, me qëllim që këtyre të fundit t’u kryhej autopsia.

Janullatosi rezulton në këtë mënyrë një zyrtar i Karamanlis, me të cilin mund të konsultohet përpara se të japë miratimin e vet që policia dhe prokuroria shqiptare të kryejnë hetimet e nevojshme për një vepër penale.

Qeveria greke bëri një deklaratë pak ditë më vonë ku tha se zhvarrimet nuk qenë financuar prej saj dhe se shërbimi i saj konsullor në Shqipëri nuk qe angazhuar zyrtarisht.

At Merdani u tha amerikanëve që zhvarrimet qenë financuar nga të afërm të ushtarëve të vrarë. Deklarata e qeverisë greke ndërkohë nuk foli për financimin prej saj të mauzoleumeve.

Ministria e Jashtme nën presion

Një kabllogramë tjetër amerikane hedh dritë mbi procesin e vështirë të negocimit të kërkesës greke për varreza lufte në territorin shqiptar, një negocim që Athina duket se e fitoi përmes shantazhit.

Kabllograma 08TIRANA745 raporton për sqarimet e dhëna nga diplomati shqiptar, Islam Lauka, drejtor i Drejtorisë për Marrëdhëniet Rajonale.

“Ambasadori i Greqisë i ka thënë (ministrit të Jashtëm) Basha se në rast se qeveria e Shqipërisë nuk bie dakord me kushtet e Athinës për varrezat ushtarake, atëherë Parlamenti i Greqisë nuk do ta ratifikojë kurrë Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit”, thuhet në kabllogramë.

“Ai i tha gjithashtu Bashës se në të njëjtën ditë që Shqipëria nënshkruan marrëveshjen për varrezat, Parlamenti i Greqisë do të ratifikojë MSA-në”, vijon më tej kabllograma.

Politikë e brendshme

Lauka ka bërë të ditur se arsyeja se pse qeveria e Athinës këmbëngul për ndërtimin e varrezave përgjatë një linje nga Përmeti në Korçë, sipas bashkëbisedimit të tij me diplomatët grekë, qe politika e brendshme e fqinjit tonë jugor.

Qeveria nacionaliste e Karamanlis e kishte për zemër këtë çështje për të fituar kapital politik. Raportohet se Lauka u ka thënë grekëve se qeveria shqiptare ka problemet e veta të brendshme si çështja e çamëve për të pasur parasysh para se të firmosë një marrëveshje kaq sensitive.

Top Channel