Nishani, shqetësim për vonesat në kufirin grek

29/08/2011 13:10

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani u takua sot me drejtorin e
Përgjithshëm të Policisë greke, Eleftherios Oikonomou, me të cilin
vlerësoi nivelin e bashkëpunimit me palën greke dhe rezultatet e
arritura kundër krimit dhe trafikut ilegal.

Nishani tha se në takim shprehu shqetësimin për vonesat nëpër pikat e kalimit kufitare, si dhe ndalimin për të kaluar në anën tjetër të kufirit të disa qytetarëve.

Nga ana e tij, kreu i policisë deklaroi se për vonesat në kufi, që tashmë përsëriten cdo verë, dimer apo në kohë Pashkësh, do të ngrihet një grup i përbashkët pune.

Oikonomou, i cilësoi të papranueshme dëmtimet e pasaportave për disa shtetas dhe tha se do të merren masa në raste të tilla.


Burgaj: Bashkëpunim në luftën kundër krimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj u takua sot me homologun grek Eleftherios Oikonomou.

Burgaj u shpreh se në takim u bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ilegal.

Kreu i policisë shqiptare theksoi se ka patur përkushtimin maksimal nga pala greke për të rritur nivelin e shërbimit ndaj shtetasve nëpër pikat kufitare.

Oikonomou, nga ana e tij vuri në dukje problemet nëpër pikat kufitare për shkak të fluksit të lëvizjes, ndërsa theksoi se do të punohet akoma më shumë për zgjidhjen e problemeve nëpër pikat e kalimit kufitar.

Top Channel