Ki Moon: Të rivendoset rendi në Libi

27/08/2011 08:00

Shefi i OKB-së, Ban Ki Moon i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të punojë së bashku për të rivendosur rendin në Libi dhe për t’i dhënë fund luftimeve.

Ki Moon tha se kriza ka hyrë në një “fazë të re dhe decizive” dhe se kryesorja në këto momente është të sigurohet që tranzicioni të kalojë shpejt dhe lehtë.

Rebelët libianë deklarojnë se kanë pothuajse kompletuar kontrollin e Tripolit, ndërkohë që luftimet vazhdojnë në lindje. Në të gjithë vendin raportohet se ka mungesë karburanti, ushqimesh dhe ndihmash mjekësore.

Korrespondentët në Tripoli thonë se ka pasur disa luftime, kryesisht përreth aeroportit ndërkombëtar, po aktualisht qendra e kryeqytetit është e qetë.

Ditën e premte shumë persona vajtën në xhami përmes kryeqytetit, për lutjet e para të së premtes që kur rebelët morën nën kontroll qytetin.

Tripoli po vuan nga mungesa e gjerë e energjisë elektrike dhe e ujit të pijshëm, por forcat e policisë po rikthehen në rrugë dhe dyqanet kanë filluar të hapen sërish.

Top Channel