Antidroga, marrëveshje me Rusinë

26/08/2011 16:35

Çështjet e heroinës dhe kokainës dhe trafikimi ndërkombëtar i tyre nëpërmjet të tjerash edhe përmes linjës që njihet si korridori i Ballkanit ka sjellë në Shqipëri drejtorin e shërbimit federal të Kontrollit të Trafikut të narkotrafikut të Rusisë, Viktor Ivanov.

Zyrtari i lartë i policisë ruse ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani për të luftuar narkotrafikun, kryesisht për të shkëmbyer informacione mes dy vendeve, por që premisat i ka edhe për goditje të afërt të ndonje grupi kriminal.

Zoti Ivanov ishte mjaft i drejtpërdrejtë në shpjegimin qe dha për mediat se çfarë ndodh me trafikun e drogës veçanërisht për rrugën që ndjek heroina nga Afganistani deri në vendet perëndimore.

“Duhet të pranojmë që Shqipëria është një nga vendet e parë që e ndjen pasojat e këtij trafiku. Sepse korridori është tashmë i njohur, bëhet fjalë për Turqinë, Bullgarinë, Maqedoninë dhe vende të tjera të Mesdheut. Shqipëria është një nga vendet e para që haset me këtë fenomen dhe këtë trafik. Pikërisht prandaj Rusia është e interesuar për mbrojtjen e qytetarëve të vet të marrë informacionin përkatës nga Shqipëria. Nga ana tjetër jemi dhe ne të interesuar që t’i sigurojmë të dhëna përkatëse Shqipërisë duke u nisur nga perceptimi që kërcënimi është i përbashkët. Dua të them që infrastuktura e kokainës dhe heroinës ka disa momente të cilat unë do t’i nënvizoj. Grupet kriminale që kanë siguruar trafikun e heroinës nga Afganistani kanë kontribuar të rritet edhe sasia e kokainës që vjen nga vende të Amerikës latine”, është shprehur Ivanov.

Ivanov ju përgjigj gazetarëve se përse Kosova ishte lënë jashtë njësisë rajonale e kundër drogës, njësi kjo që përfshin Rusinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë, por jo Kosovën, në një kohë që edhe ky vend përmendet si linjat nga ku tranzitohet heroina.

Qendrimi i federates ruse ndaj Kosovës është i njohur dhe është jashtë kompetencave të mia të flasë për këtë punë, por ne jemi të kënaqur me atë punë që po bën Shqipëria në territorin e Kosovës një krahinë të panjohur nga federatë ruse, që ka të bëjë me këtë fenomen, objeket i bashkëbisedimit të sotshëm.

Ndërkohë ministri Nishani përmendi përfshirjen e Shqipërisë në 31 operacione ndërkombëtare kundër drogës për tre vitet e fundit.

Top Channel