INSTAT publikon ecurinë, tkurren importet, rriten eksportet

25/08/2011 09:20

Muaji korrik shënon një ngushtim të raportit mes importeve dhe eksporteve, shenja këto pozitive për bilancin tregtar dhe ekonominë në tërësi. Megjithatë, për të gjithë muajt e vitit, deri në korrik, INSTAT thotë se deficiti tregtar ka prekur nivele tejet negative, të rreth 2 miliardë dollarë, e nëse vazhdon me këtë ritëm, diferenca pritet të jetë akoma e më përkeqësuese. Vetëm në muajin korrik, deficiti tregtar arriti në afroi 300 milionë dollarë.

Kështu, gjatë këtij muaji janë eksportuar mallra me vlerë 190 milionë dollarë, me rritje 7.7 për qind në krahasim me muajin qershor 2011 dhe rritje me 32.4 për qind në krahasim me korrikun e vitit 2010, bën të ditur gazeta ‘Shqip’.

Sa i takon importeve, vlera e mallrave regjistroi nivelin e gati 490 milionë dollarëve, me rritje 2.4 për qind në krahasim me muajin e mëparshëm dhe me rritje 7.4 për qind në raport me vitin e kaluar. Siç vërehet nga të dhënat, kemi një zbutje të raportit mes importeve dhe eksporteve, por që sërish mbeten larg objektivit të dëshiruar.

Në këto kushte, për muajin korrik kemi një deficit në vlerë rreth 300 milionë dollarë, që sipas INSTAT-it, rezulton me ulje 0.4 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje akoma edhe më të madhe prej 3.5 për qind në raport me vitin e kaluar.

Këto rezultate dolën për shkak të rritjes së fortë në eksportin e disa mallrave, si në “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 30.3 për qind, “tekstile dhe këpucë” me rreth 13.3 për qind dhe “prodhime druri dhe letre” me 6.7 për qind. Sa i takon eksportit të grupit “lëkurë dhe artikujt prej tyre”, pati një ulje prej 24.5 për qind.
 
Tregtia me vendet e BE-së është 69.1 për qind. Partnerët kryesorë
tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti
është 56.4 për qind dhe importi 33.8 për qind, ndërsa me
Greqinë, eksporti është 5.5 për qind dhe importi 11.2 për qind.

Top Channel