Taksë doganore zero për makinat

23/08/2011 14:55

Që prej të mërkurës të kësaj jave cdo automjet i importuar që hyn në Shqipëri nuk do të paguajë tarifë doganore.

Ligji i miratuar në kuvend disa jave më parë hyn në fuqi të mërkurën. Burime zyrtare nga Ministria e Financave thane se po përgatitet edhe udhëzimi, i cili do të ndihmoje aplikimin e ligjit që bën zero tarifën doganore për automjete që hyjnë në Shqipëri.

Sipas ligjit qe do te nise të aplikohet te merkuren taksa doganore nuk do të paguhet më ne doganë, por ajo do të zëvendësohet nga një taksë tjetër, e cila do të paguhet cdo vit, kur bëhet kolaudimi i makinës.

Taksa e re bazohet pak a shumë tek e njëjta formulë si ajo e taksës së importit, por duke qenë se do jetë e shtrirë në vite, shuma që do paguhet për cdo vit është dhjetëra herë më e ulët nga taksa ekzistuese, e cila në disa raste ishte sa tre apo katërfishi i cmimit të vetë automjetit. Edhe taksa e re varet sërish nga numri i viteve të përdorimit të automjetit dhe fuqia motorrike e saj.

Por ajo që ndryshon është se nëse tani qytetari që importonte një automjet e paguante menjëherë detyrimin në doganë, taksa e re e shtrin atë në vite. Paralelisht me doganën dhe taksën e shitjes brenda vendit do të hiqet edhe taksa e qarkullimit dhe ajo e regjistrimit, të cilat nuk do të paguhen më cdo vit, sikurse është bërë deri më tani, por do të mblidhen në mënyrë indirekte përmes rritjes së taksave të karburanit e cila pritet te rritet me 2 lekë për litër.

Me formulën e re, taksa që një qytetar do paguajë për qarkullim dhe regjistrimin do të varet nga sa ai e përdor automjetin e tij sepse do jetë e inkorpouruar në karburant.        

Top Channel