Bulqizë, minatorët dalin nga greva, dërgohen në spital

20/08/2011 11:20

Dalin nga galeritë 14 minatorët grevistë, të cilët u dërguan për kurim
mjekësor në spital, për shkak të kushteve të rënda shëndetësore në të cilat ishin.

Minatorët vendosen të ndërpresin grevën e urisë për dy ditë, për ta rinisur atë të hënën, pas krijimit të ambienteve para kompanisë ACR.

Me arritjen e marrëveshjes që minatorët të dalin nga galeria, eliminohet rreziku i problemeve të mëtejshme me shëndetin për shkak të helmeve si dhe mungesës së dritës në thellësitë e nëntokës.

Këshilli Sindikal i Minatorëve arriti një marrëveshje për ndryshimin e vendit të grevës së urisë, e cila pritet të zhvillohet para ambienteve të kompanisë ACR.

Sipas kësaj marrëveshjeje, do të vendosen cadra para zyrave të ACR-së, ku do të qëndrojnë minatorët grevistë.

Një ditë më parë, policia tentoi dy herë që të nxjerrë me forcë
minatorët nga galeritë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së rrethit të
Dibrës, po hasën në rezistencën e kolegëve dhe familjarëve të minatorëve
grevistë.

Ka patur përleshje mes policisë dhe minatorëve në hyrje të ashensorit të
parë. Pas kësaj forcat policore  bllokuan të gjitha hyrjet për në
galeritë e minierës.

Por në rrugëtimin e saj drejt nëntokës, atje ku ndodhen minatorët
grevistë, policia është ndalur në ashensorin e dytë. Ashensori i dytë
është ai që të con në vendin ku mbahet greva e urisë së minatorëve. Ky
ashensor, mësohet se është bllokuar prej minatorëve dhe forcat e rendit e
kanë patur të pamundur vijimin e rrugës së tyre.

Policia dhe përmbaruesit kërkojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës së
Dibrës e cila vendosi pak ditë më parë nxjerrjen me forcë të minatorëve
me arsyetimin se atyre u rrezikohet jeta për shkak të amortizimit të
minierës.

Ndërkohë greva e minatorëve të Bulqizës ka sjellë në Shqipëri
presidenten e kompanisë Decometal Austria e cila ka në pronësi kompaninë
konçesionare ACR.

Zonja Rohtraut Skatche-Depich në një intervistë për Top Channel jep komentet e saj për grevën e minatorëve.

“Mendimi im është se greva është krijuar në mënyrë artificiale.
Fatkeqësisht anëtarë të papërgjegjshëm të unionit inicuan grevën duke
mos patur interesin e minatorëve”, është shprehur Skatche-Depich.

Të enjten kompania ACR bëri publike një memorandum mirëkuptimi, por që
mori refuzimin e drejtuesve të sindikatës. Presidentja e Decometal
tregon hapat që parashikon të ndërmarrë përballë kësaj situate.

“Siç mund të jeni në dijeni kemi një vendim gjykate ku vendosi se
azurpatorët e minierës nga udhëheqësit e sindikatës të cilët janë një
grup i vogël është e jashtëligjshme dhe duhet të largohen nga atje. Jam
duke pritur që ky vendim të zbatohet. Kur kjo të ndodhë s’ka për të
patur probleme për minatorët e mi dhe mua për të nënshkruar marrëveshjen
për t’ju rikthyer normalitetit të punës”, theksoi Skatche-Depich.

Një ditë më parë Këshilli Minatoreve të grevës në Bulqize vendosi sot të vijojë protestën dhe të refuzojë propozimin e kompanisë koncesionare ACR.

Minatoret do vijojne protesten dhe deklarohen se do te vazhdojne
protestat e tyre me cdo lloj menyre, deri ne plotesimin e kerkesave.

“Ne kërkojmë të nënshkruhet një marrëveshje shtesë e kontratës së punës,
për t’u plotësuar kërkesat. Nëse nuk plotësohen kërkesat, ne nuk
tërhiqemi nga greva”, tha kreu i konfederatës së sindikatave, Kol
Nikolla.
 

Top Channel