Norvegji, 7 të vdekur ne Oslo

22/07/2011 19:55

Bomba e fuqishme që shpërtheu në zonën e ndërtesave qeveritare në kryeqytetin Oslo ka shkaktuar të paktën shtatë viktima dhe ka plagosur 15 persona.

Kryeministri Jens Stoltenberg, në një intervistë telefonike për një televizion lokal, e ka cilësuar situatën si “shumë serioze”.

Shpërthimi i bombës u pasua nga një tjetër incident fatal, me të shtëna armësh zjarri në një takim elektoral të forumit rinor të Partisë Laburiste, e udhëhequr nga kryeministri.

Mediat norvegjeze raportojnë se të paktën 10 persona janë vrarë kur një person i veshur si polic hapi zjarr ndaj të pranishmëve.

Policia norvegjeze deklaron se personi i dyshuar si autor i këtij atentati është arrestuar nga agjentët e vërtetë të sigurisë.

Deri tani, asnjë grup nuk ka marrë përsipër autorësinë e sulmeve, që ndodhin rrallë në një vend të qetë si Norvegjia.

Disa orë pasi shpërthimi bllokoi Oslon, autoritetet thanë se kishte ende persona në ndërtesat e dëmtuara, tek të cilat kishin rënë edhe zjarre.

Top Channel