Aksidenti i Lady Diana

22/07/2011 21:45

Dy ish-zyrtarë të lartë të policisë britanike mund të merren në pyetje lidhur me akuzat se kanë fshehur prova të rëndësishme mbi aksidentin rrugor që i mori jetën princeshës Diana.

Një gjykatës francez kërkon të dijë nga ish-shefi i Scotland Yard, Lord Condon dhe nga Sir David Veness, përse nuk bënë publike ekzistencën e një letre ku Diana parashikonte vrasjen e saj.

Nëse refuzojnë t’i përgjigjen pyetjeve në Paris, të dy ish-zyrtarët mund të përballen me mandate arresti në cilësinë e personave të dyshuar.

Letra e marrë nga avokati i princeshës së Uellsit, Lord Mishcon, iu dorëzua oficerëve disa muaj pas përplasjes së frikshme në një tunel të Parisit në 1997-ën, që mori gjithashtu jetën e Dody al Fayed dhe shoferit të ciftit, Henry Paul.

“Do të bëhen përpjekje për ta hequr qafe, ndoshta me ndonjë aksident të makinës së saj, ndonjë ndërhyrje tek frenat, apo cfarëdolloj gjëje që ta plagosë, ose të paktën ta dëmtoje deri në atë masë sa të deklarohet e pabalancuar”, është fjalia që shkëputet në dokumentin e avokatit të shumërespektuar, të cilin e citon gazeta britanike “Daily Express”.

Vetëm tre vjet pas dorëzimit të tij do të dilte në dritë fakti që letra ishte kycur në kasafortën e Lord Condon në Scotland Yard.

Edhe pasi ai dha dorëheqjen, pasardhësi i vet, Lord Stevenes e mbajt të fshehtë ekzistencën e saj. Ligji francez e dënon me gjobë, ose deri në 3 apo 5 vjet heqje lirie zhvendosjen e një prove, apo fshehjen e saj.

Ky zhvillim eksploziv, thotë “Daily Express”, lë të kuptohet se cështja e shumëdiskutuar, a ishte aksident apo vrasje përplasja fatale në tunelin “Pont d’Alma” të Parisit, mund të rikthehet në gjykatë.

Letra tergon se princesha ishite informuar nga burime shumë të besuara se po bëheshin përpjekje për eliminimin e saj në një aksident të orkestruar automobilistik.

Diana vdiq në 31 gusht të vitit 1997, pasi mercedesi ku ajo udhëtonte bashke me Dodi al Fayed u përplas ndërsa shoferi po lëvizte me shpejtësi, në përpjekje për të shmangur paparacët që i ishin vënë pas.

Top Channel