Somali, vendi në krizë urie

20/07/2011 22:15

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon i ka drejtuar sot një apel vendeve donatore për një angazhim në mbështetje të Somalisë.

Sipas numrit një të Kombeve të Bashkuara, vendi afrikan është përfshirë nga një krizë e paprecedentë urie.

Për t’i bërë ballë kësaj situate, duhen mbledhur urgjentisht 1.6 miliardë dollarë në formë ndihmash humanitare.

“Pothuajse gjysma e popullsisë, 3.7 milionë banorë, ndodhet në gjendje krize, pasojat e së cilës do të jenë shkatërruese jo vetëm për Somalinë, por edhe për vendet përreth”, ka deklaruar Ki Moon.

Para pak ditësh OKB nisi shpërndarjen e parë të ndihmave për viktimat e thatësirës në zonat e Somalisë të kontrolluara nga militantët e lidhur me Al Kaedën.

Top Channel