Ministri: Largimi i Gaddafi-t s’është opsion

20/07/2011 21:50

Ministri i Jashtëm i Libisë ka mohuar zërat se dorëheqja e kolonelit Muammar Gaddafi po merret në konsideratë për t’i dhënë fund konfliktit.

“Largimi i Gaddafi-t as që diskutohet”, ka deklaruar Abdelati Obeidi për gazetarët pas bisedimeve të zhvilluara në Moskë me homologun rus Sergei Lavrov.

Rusia është përpjekur të negociojë një marrëveshje për dhënien fund të konfliktit që zgjat prej pesë muajsh.

Javën e kaluar Franca deklaroi se është kontaktuar nga të dërguarit libianë, që kanë thënë se koloneli Gaddafi ishte gati të largohej.

Pas bisedimeve të sotme në Moskë, Obeidi nënvizoi se qeveria libiane dëshiron t’i japë fund konfliktit me rebelët, që duan largimin e liderit pas 41 vitesh pushtet.

“Duhet të punojmë të gjithë për një zgjidhje paqësore, në të cilën të jenë palë të gjithë libianët dhe jo vetëm këshilli i rebelëve në Bengazi”, ka deklaruar Obeidi.

Top Channel