Barroso paralajmëron sërish eurozonën

20/07/2011 19:00

Liderët e eurozonës duhet të gjejnë një zgjidhje për krizën e borxhit grek, ndryshe pasojat negative të saj do të ndihen në Evropë dhe përtej saj.

Është ky paralajmërimi që ka bërë presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, i cili e ka vlerësuar situatën si “shumë serioze”.

Ditën e enjte, përfaqësuesit e 17 vendeve të eurozonës do të mbajnë një samit emergjent për të kërkuar një zgjidhje të situatës në fjalë.

“Askush nuk duhet të krijojë iluzione, situata është shumë serioze. Ajo kërkon një përgjigje, ndryshe efektet negative të saj do të ndihen në cdo qoshe të Evropës dhe përtej”, ka deklaruar Barroso.

Presidenti i KE-së ka theksuar se minimumi që samiti i nesërm mund të arrijë është marrja e masave për të siguruar qëndrueshmërinë e financave publike të Greqisë.

Më herët, ministri francez i Financave, Francois Baroin e vuri gjithashtu theksin tek nevoja që Evropa të veprojë me vendosmëri.

Top Channel