Murdoch: S’jam përgjegjës për përgjimet

19/07/2011 18:10

Manjati Rupert Murdoch ka deklaruar se ai nuk mund të konsiderohet përgjegjës për skandalin e “News of the World”, duke theksuar se ai ishte tradhtuar nga “personat e besuar” të tij.

Shefi i News Corporation është shprehur se nuk ishte në dijeni të zgjerimit të përgjimeve telefonike dhe se në mënyrë “të pastër” është keqinformuar nga stafi i tij.

Por ai ka thënë se ndihet i përulur për faktin se është detyruar të shpjegojë sjelljen e firmës së tij para anëtarëve të Parlamentit.

Ndërsa i biri, James, u ka kërkuar të falur viktimave, duke thënë se përgjimi është “i pafalshëm” dhe një cështje “pendese”.

Paraqitja e Rupert Murdoch përpara anëtarëve të komisionit parlamentar të medias është e para gjatë karrierës së tij 40-vjecare.

I ndodhur përballë një sërë pyetjesh të bëra nga deputeti laburist Tom Watson, zoti Murdoch qëndroi i heshtur dhe i biri bëri përpjekje të shumta për të ndërhyrë.

Por zoti Watson bëri të qartë se donte të dëgjonte përgjigje nga i ati, bashkëshortja e të cilit ishte e pranishme, dhe jo i biri.

“Babai juaj është përgjegjës për qeverisjen e korporatës dhe një seri veprimesh negative që janë kryer nga kjo kompani”, deklaroi ai.

Top Channel