Cameron: Politikanët, shumë pranë Murdoch

19/07/2011 21:35

Kryeministri David Cameron ka deklaruar se politikanët në Britaninë e Madhe kanë qenë shumë pranë redaktorëve të gazetave.

“Një pjesë e mediave kanë kryer akte të tmerrshme ilegale, policia duhet t’u përgjigjet me masa serioze formave të ndryshme të korrupsionit”, ka pohuar Cameron.

Duke folur nga Nigeria, ai ka nënvizuar se edhe policia nga ana e saj duhet të japë llogari përse nuk ka arritur të hetojë më parë mbi skandalin e përgjimeve.

Ndërkohë, audicioni i Rupert dhe James Murdoch në Parlamentin britanik u ndërpre si pasojë e hyrjes së një protestuesi, që i hodhi një pjatë me shkumë roje manjatit australian.

Personi në fjalë u bllokua nga të pranishmit, mes të cilëve bashkëshortja e Murdoch, Wendi, dhe më pas u shoqërua nga policia.

Ndërsa ish-administratorja e grupit të Murdoch në Britaninë e Madhe, Rebekah Brooks, gjatë audicionit të saj ka pranuar gabimet e kompanisë.

“Në të kaluarën janë bërë gabime, por tani kemi vepruar me shpejtësi dhe korrektësi”, ka deklaruar Brooks. Ajo ka thënë se pikërisht në bazë të elementëve të dhënë nga News International, policia në janar hapi hetimet mbi “tabloid-gate”.

Top Channel