Borxhi, Obama: Progres në bisedime

19/07/2011 21:45

Presidenti amerikan Barack Obama ka folur për “pak progres” në bisedimet mbi borxhin, në një kohë kur SHBA kanë hyrë në orën e 11 para skadimit të afatit për rritjen e tavanit të borxhit kombëtar.

Nga Shtëpia e Bardhë, Obama ka përshëndetur një plan të hartuar nga një grup senatorësh për të shkurtuar deficitin buxhetor dhe për të ngritur kufirin e tij.

Ai u ka bërë thirrje liderëve të Kongresit që të lënë mënjanë “gjestet simbolike” dhe të fillojnë të shkruajnë legjislacionin.

Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të pësojnë një “default” të borxhit nëse Kongresi nuk ngre kufirin e tij para datës dy gusht.

Në Shtëpinë e Bardhë, Obama ka deklaruar se një propozim është vënë në diskutim nga senatorët e një grupi bipartizan të njohur si “banda e të gjashtëve”.

Grupi në fjalë është takuar disa herë në muajt e fundit, në përpjekje për të hartuar një plan që të reduktojë deficitin buxhetor vjetor prej 1.5 trilion dollarësh të qeverisë amerikane.

Top Channel