Përgjimet, vijon “tërmeti” në Scotland Yard

18/07/2011 17:15

Vijon rrokada në radhët e Scotland Yard, lidhur me skandalin e përgjimeve të gazetës “News of the World”, të manjatit Rupert Murdoch.

Kështu, numri dy i policisë metropolitane, John Yates ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij.

Kryetari i bashkisë së Londrës, Boris Johnson ka deklaruar se Yates ka vendosur të dorëhiqet pasi kishte marrë vesh se ishte pezulluar nga shefat e tij.

Deri në mëngjesin e sotëm Yates ishte i vendosur të qëndrote dhe kishte deklaruar për Sky News se, nuk kishte bërë “asgjë të keqe”.

Vendi i tij, që mbulonte kryesisht seksionin e anti-terrorizmit, është zënë nga një grua, zëvendëskomisarja Cressida Dick.

Ndërkohë, ish-drejtorja e News Corporation, Rebekah Brooks, do të paraqitet nesër në një komision të Parlamentit britanik, për t’u dëgjuar lidhur me skandalin e përgjimeve.

Brooks, e cila u arrestua ditën e djeshme pasi u paraqit vullnetarisht në polici, është liruar kundrejt pagesës pasi është dëgjuar për 12 orë nga hetuesit.

Ndërkohë, “Daily Mirror”, që citon një ish-punonjës të “News of the World”, shkruan se tre funksionarë të lartë të policisë kanë marrë zarfe nga gazetat e Rupert Murdoch.

Mbrëmjen e djeshme, Sir Paul Stephenson, shefi i Scotland Yard, dha dorëheqjen pasi e pa veten në mes të skandalit të përgjimeve.

Top Channel