Egjipt, dorëhiqet ministri i Jashtëm

17/07/2011 09:55

Kryeministri egjiptian Essam Sharaf ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Jashtëm, Mohammed el Orabi, bën të ditur televizioni publik egjiptian.

Sharaf prej disa ditësh është i angazhuar në një seri konsultimesh me forcat politike, në prag të një riformatimi të qeverisë.

Riformatimi në fjalë u premtua javën e kaluar, pas valës së re të protestave që kishin si epiqendër sheshin Tahrir në Kajro.

Sipas të njëjtit burim, kryeministri pritet që t’i shpallë më vonë gjatë ditës së sotme ndryshimet në qeverinë e tij.

Vetëm pak ditë më parë forcat e armatosura, që kanë marrë në dorë pushtetin e vendit pas rrëzimit të Mubarak, njoftuan shtyrjen e zgjedhjeve legjislative nga shtatori për në tetor ose nëntor.

Top Channel