Takimi kundërshtarëve të Al Asad

16/07/2011 20:25

Qindra përfaqësues të opozitës siriane u takuan në Turqi për të diskutuar për rrëzimin e presidentit Bashar Al Asad, ndërsa në Siri, mijëra dolën sërish në rrugë.

Vael Al Hafez, një prej udhëheqësve të të ashtuquajturit “Kongresi për shpëtimin kombëtar”, që u mblodh në Stamboll, bëri thirrje për “mosbindje civile”.

“Ne duam të shtojmë intensitetin e konfrontimit paqësor me mosbindje civile, si dhe të mbysim ekonomikisht regjimin dhe të paralizojmë shtetin me sa më pak dëme”.

Një takim i ngjashëm në Damask nuk u lejua të zhvillohet nga autoritetet siriane.

Të paktën 28 persona humbën jetën të premten, pas një proteste masive, një nga më të mëdha prej nisjes së kryengritjes në Siri.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton e cila ndodhej në Turqi, nuk bëri asnjë koment për takimin e opozitës siriane, por i bëri thirrje regjimit të nisë bisedimet me përfaqësuesit e saj.

Tuqia, një vend aleat i Sirisë, i bëri thirrje presidentit Bashar Al Asad të zbatojë reforma.

Sipas grupeve të të drejtave të njeriut 1400 civilë dhe 350 anëtarë të forcave të sigurisë kanë humbur jetën, gjatë këtyre katër muajve të protestave.

Top Channel