Sot do të zbresin në fushën e lojës tre ekipet shqiptare që marrin pjesë në raundin e dytë eliminator të kupës Europa Ligë.
Skuadra e Flamurtarit do të përballet në Vlorë me çekët e Jablonecit, pasi ka kaluar raundin e parë ku mundën me rezultatin e përgjithshëm 4-3 skuadrën e Buducnostit nga Podgorica. Ndeshja e tyre e dytë në Vlorë u kritikua për ditë me rradhë duke hedhur edhe hije dyshimesh për trukim, por drejtuesit e Flamurtarit thonë se e kanë kaluar atë moment të vështirë e janë gati për Jablonecin. Ndeshja e tyre do të zhvillohet në orën 17:30 në stadiumin Flamurtari.
Ndërkohë Vllaznia luan në Loro Boriçi me Tunin e Zvicrës, në letër një skuadër më e mirë se shkodranët megjithatë avantazhi i fushës i jep mundësinë Vllaznisë të marrë një rezultat pozitiv në këtë përballje të parë. Takimi mes Vllaznisë e Tunit do të zhvillohet në orën 20:30 në “Loro Boriçi”.
Ndërkohë debuton në këtë sezon të ri, Tirana, fituesja e kupës. Bardheblutë do të përballen mbrëmjen e sotme me Spartak Tërnavën, duke zbuluar kështu blerjet e reja e punën e trajnerit spanjoll, Hulian Rubio Sançez.
Takimi mes Tiranës e Spartak Tërnavës do të zhvillohet në stadiumin Qemal Stafa në orën 20:00.
Top Channel