Lamtumira e një gazete të madhe

10/07/2011 12:25

“Faleminderit dhe Lamtumirë”. Ky ishte titulli i numrit të fundit të tabloidit më të shitur në Britaninë e Madhe, “News of The World”, në treg prej 168 vjetësh. (UPDATE)

“News International” që e boton, vendosi ta mbyllë pas skandalit të përgjimeve, për të cilin u mësua publikisht javën e kaluar.

Në editorialin e saj në faqen 3, gazeta kërkon ndjesë: “Fare thjesht, ne humbëm rrugën tonë. Telefonat u përgjuan dhe për ketë ndjejmë keqardhje. Nuk ka justifikim për këtë keqbërje të frikshme. Asnjë justifkim për dhimbjen që iu shkaktua viktimave, as për njollën e thellë në këtë histori të madhe. Kur të shlyhet faji ne shpresojmë që do të gjykohemi për gjithë vitet e përshkuara”.

Gjatë një fjalimi të shkurtër për 200 anëtarët e stafit të saj, kryeredaktori Colin Myler e cilësoi numrin e 8674 dhe të fundit “një dedikim për 7 milionë e gjysëm lexues dhe stafin: “Ju faleminderit”. Në fund ai shtoi: “Ashtu siç e do tradita, ne do të shkojmë në pub”.

“News of The World” ka dyfishuar tirazhin e së dielës në pesë milionë kopje, ndërsa të ardhurat nga shitja do të shkojnë për bamirësi. Një prej zyrtarëve të Scotland Yard, John Yates shprehu keqardhje për mosçeljen e hetimeve mbi përgjimet, dy vjet më parë. Në një intervistë për “Sunday Telegraph” ai shprehu pendesë për mënyrën se si e menaxhoi çështjen, duke mos rishikuar hetimet e para të policisë që çuan në dënimin e investigatorit privat, të punësuar nga “News of The World”, Glen Malker në vitin 2007.

Të premten u arrestua ish-kryeredaktori i gazetës,Andy Coulson, i dyshuar për përgjim të telefonave dhe korrupsion. Ai dha dorëheqjen si zëdhënës i kryeministrit britanik në muajin janar me argumentin se akuzat për përgjimet po e shpërqendronin nga puna. Ai mohoi të ishte i përfshirë në skandal gjatë punës së tij nga viti 2003-2007.

Rupert Murdoch pritet të mbërrijë në Britaninë e Madhe për të diskutuar mbi skandalin e përgjimeve. Qeveria britanike ka shpallur dy hetime të pavarura për skandalin, së pari për aktivitetin e News of The World dhe gazeta të tjera si dhe dështimin e hetimeve të para të policisë, nga viti 2005 për përgjimet. Ndërsa hetimi i dytë do të shqyrtojë etikën dhe kulturën e shtypit.

 

Top Channel