Sudani i Jugut ngriti flamurin e pavarësisë

09/07/2011 14:05

Dhjetra mijëra banorë të Sudanit të Jugut kanë parë ngritjen e flamurit
të ri të vendit, në një ceremoni për shpalljen e pavarësisë, të mbajtur
në kryeqytetin Juba.

Presidenti sudanez Omar al Bashir dhe shefi i OKB-së, Ban Ki Moon kanë qenë mes personave VIP që kanë marrë pjesë në këtë eveniment.

Sudani i Jugut u bë shteti më i ri i botës në mesnatë, kulmi i një procesi të arritur falë marrëveshjes së paqes të vitit 2005, që i dha fund luftës së gjatë civile.

Më herët, Sudani u bë shteti i parë që njohu zyrtarisht pavarësinë e shtetit të tij fqinj.

Pavarësia e Jugut vjen pas një konflikti që ka zgjatur për dekada të tëra me Veriun, gjatë të cilit kanë humbur jetën 1.5 milionë persona.

Festimet në Juba filluan në mesnatë. Një orë “countdown” e vendosur në qendër të qytetit arriti në zero dhe himni i ri kombëtar u transmetua në televizion.

Top Channel