SHBA, dënohet ish-guvernatori

28/06/2011 00:50

Ish-guvernatori i Illinoisit, Rod Blagojevic, u shpall fajtor nga një gjykatë federale e Cikagos nën akuzën e tentativës për shitjen e vendit bosh në senat të lënë nga Barak Obama, i cili u bë president i Shteteve të Bashkuara.

Në procesin e dytë gjyqësor në një gjykatë federale të Cikagos, u shpall fajtor për 17 akuza, nga 20 të ngritura kundër tij, ndër të cilat edhe për korrupsion, por ai i ka hedhur poshtë ato.

Demokrati që trazoi politikën amerikane u arrestua në dhjetorin e vitit 2008 e më pas u shkarkua nga Dhoma e Përfaqësuesve të Ilinoisit që votoi me 114 vota pro dhe vetëm 1 kundër.

Si guvernator i Ilinoisit, i takonte Blagojevic të caktonte emrin e personit që do të zinte vendin e lënë bosh nga largimi për në Shtëpinë e Bardhë të Barak Obamës. Ish-guvernatori u përpoq të shiste vendin bosh për përfitime personale.

Prokurorët federalë e kishin hetuar për katër vjet administratën e tij dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë.

Top Channel