Largimi i Gaddafi-t, cështje kohe

23/06/2011 21:10

Koloneli Muammar Gaddafi mund të largohet nga Libia në dy apo tre javët e ardhshme.

Ky është opinioni i ish-ambasadorit të Libisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Abdul Rrahman Shalgam, që ka kaluar në anën e kryengritësve, gjatë një një interviste për gazetën italiane “Corriere della Sera”.

Sipas diplomatit libian, Gaddafi është në negociata me vendet mike afrikane, ndoshta edhe me Bjellorusinë, për të gjetur një zgjidhje, për të mos përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe mbi të gjitha për të ruajtur pasurinë e tij.

Abdulrrahman Shalgam nuk është një njeri i cfarëdoshëm. Përvec postit që ka patur në OKB, ai e njeh kolonelin prej 40 vjetësh, përpara grushtit të shtetit të vitit 1969, që rrëzoi mbretin Idriz.

Deri në fund të shkurtit, ai e quante kolonelin “vëlla” dhe më pas e akuzoi për “masakra” dhe “shkelje të të drejtave të njeriut”.

Shalgam mendon se Italia në këto momente nuk mund t’i kthejë shpatullat Libisë, sepse është e rëndësishme njësoj si Sicilia apo Sardenja.

Ai u shpreh i frikësuar për cfarë mund të krijojë Gaddafi në Tripoli gjatë ditëve të fundit përpara se të lërë pushtetin.

“Ai është njeri i rrezikshëm. I besoj vullnetit të popullit të Tripoliot që nuk ka mentalitetin e fiseve, por ka një kulturë paqësore. Shpresoj që kush është afër tij ta braktisë para se ai të ikë”, deklaron Shalgam.

Pyetjes nëse Gaddafi mund t’i vërë zjarrin puseve të naftës, sic bëri Sadam Husein përpara se të linte Kuvajtin, Shalgam thotë se kjo zor se mund të ndodhë.

Kryengritësit kanë nën kontroll 40 për qind të puseve. E vetmja frikë janë puset që ndodhen në Gadames, por atje sipas diplomatit, dëmet nuk do të jenë të mëdha.

Top Channel