Irak, 22 viktima në një seri atentatesh

21/06/2011 09:50

Të paktën 22 persona janë vrarë mëngjesin e sotëm në qendër të Irakut, nga një seri atentatesh në provincën e Diuanijas.

Sulmi u krye jashtë shtëpisë së guvernatorit të provincës dhe në të mund të jenë përfshirë dy autobomba.

Disa dhjetra persona të tjerë raportohet se kanë mbetur të plagosur. Diuanija ndodhet rreth 130 kilometra në jug të Bagdadit.

Dhuna në Irak ka rënë ndjeshëm që nga viti 2006 kur arriti dhe pikun, por autobombat dhe atentatet me armë zjarri vijojnë të jenë në rend të ditës.

Ende nuk dihet nëse guvernatori është lënduar nga sulmi në Diuanija, një rajon me shumicë shiite ku veprojnë shumë grupe të armatosura.

Javën e kaluar, persona të armatosur dhe atentatorë vetëvrasës sulmuan ndërtesën e një këshilli provincial në qytetin e Bakubës, duke vrarë të paktën 8 persona.

Top Channel