Tunizi, 35 vjet burg për Ben Ali

20/06/2011 22:30

Gjykata tuniziane dënoi në mungesë ish-presidentin Zine Al Abidine Ben Ali dhe bashkëshorten e tij, me 35 vjet burg secili, për vjedhje, korrupsion dhe trafik droge.

Cifti ndodhet në Arabinë Saudite prej muajit Janar, qëkur në vend nisën protesta kundër regjimit të tij. Gjykata vendosi që ata të paguajnë edhe një gjobë prej 66 milionë dollarësh.

Gjyqi nisi të hënën mbi akuzat për vjedhje, korrupsion dhe trafik droge, të cilat ish-presidenti i Tunizisë i hodhi poshtë.

Gjykatësi tha se më 30 Qershor do të bëhet publik edhe verdikti për akuzat, posedim droge dhe armëmbajtje pa leje.

Përmes një deklarate, mëngjesin e së hënës, Ben Ali tha se e kishte cuar familjen në Arabinë Saudite, si masë për sigurinë e saj.

Ai shpjegoi se kishte synuar të kthehej në Tunizi menjëherë, por avioni ishte nisur pa të, duke mos iu bindur urdhërave.

Avokatët e Ben Ali thanë se gjyqi ishte një përpjekje nga qeveria e përkohshme e Tunizisë, për të larguar vëmendjen nga dështimi i saj për të rikthyer sigurinë në vend.

Autoritetet e Arabisë Saudite duhet t’i përgjigjet kërkesës nga Tunizia, për ekstradimin e ciftit.

Ndaj 74 vjecarit, Ben Ali i cili udhëhoqi Tunizinë për 23 vjet, janë ngritur gjithësej 90 padi. Akuzat më të rënda si vrasje, tortura dhe pastrim parash të ngritura ndaj tij do të shqyrtohen më vonë nga një Gjykatë Ushtarake.

Top Channel